Ministria e Mbrojtjes: Nuk ka dorëheqje në FSK
BKT
Foto: Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës në Facebook
Lajme

Ministria e Mbrojtjes: Nuk ka dorëheqje në FSK

Jehona Zhitia/ RTK

Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se nuk është i vërtetë lajmi rreth dorëheqjes të 10 pjesëtarë serb të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Referuar lajmit të publikuar nga mediumi serb, dhe të cituar edhe nga disa medie vendore, ju informojmë se është dezinformatë. Nuk është e vërtetë që kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre 10 pjesëtarë serb të Forcës së Sigurisë së Kosovës, janë tre kërkesa për demobilizim që kemi pranuar prej kohësh dhe për të cilat janë duke u ndjekur të gjitha procedurat e rregullta. Prandaj, deklarimet e tilla publike i shohim më tepër si tendencë e Beogradit zyrtar për të nxitur largimin e pjesëtarëve serb nga institucionet e Republikës së Kosovës, madje, edhe përmes kërcënimeve direkte”, thuhet në një deklaratë nga Ministria për RTK.

Sipas Ministrisë përpjekjet e Serbisë për të frikësuar pjesëtarët serb të FSK-së janë të papranueshme, shkelin normat e civilizimit dhe vlerat demokratike evropiane.

“Nuk presim që Serbia të ulë shkallën e kërcënimeve, por dhe Kosova si shtet nuk do të dorëzohet kurrë përpara këtyre presioneve. Vlerësojmë dhe respektojmë kontributin e secilit pjesëtarë të Ushtrisë së Republikës së Kosovës për sakrificën dhe shërbimin ndaj atdheut. Kosova është shtet multietnik, dhe Ushtria e Kosovës është garantuese e integritetit territorial dhe jetës së çdo qytetari pa dallim etnie. Bashkë do të vazhdojmë rrugëtimin tonë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO”, thuhet në deklaratën e Ministrisë për RTK-në.


MË SHUME NGA Lajme