Haziri: Bojkoti i kontrolluar dhe dirigjuar nga Serbia
A.Bela/ RTKlive
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka folur për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, ku një pjesë e serbëve që punojnë nëpër institucionet e Kosovës, kanë dhënë dorëheqje.
Haziri në RTK Prime duke folur për largimin e tyre nga institucionet e Kosovës tha se bojkoti i institucioneve të Kosovës nga serbët lokal, nuk është risi për Kosovën.
“Bojkoti në mënyrë të tillë nga qytetarët serbë, është i kontrolluar dhe dirigjuar nga Beogradi, dhe një gjë e tillë është përsëritur sa herë që Kosova ka pasur progres”, tha Haziri.
Tutje ai ka folur edhe për “non paper”, i cili është publikuar në media të ndryshme, e të cilin thotë se e ka parë pasi që i’a kanë mundësuar partnerët ndërkombëtarë.
Madje siç u shpreh ai se përmbajtja dhe publikimi i këtij dokumenti, nuk është i njëjtë me dokumentin e iniciativës gjermano-franceze.
Ai po ashtu tha se ky dokument u është prezantuar vetëm dy njerëzve të shteteve përkatëse.























