Kelmendi e Goranci, fitues të çmimeve "Katarina Josipi"|Video
Donika Sherifi / RTK
Për dallim nga vitet e kaluara, këtë vit nuk pati vepër e cila do të fitonte çmimin e parë "Katarina Josipi" që ndahet nga Ministria e Kulturës.
Juria ndau vetëm çmimin e dytë dhe të tretë, pasi sipas saj, brenda veprave kishte probleme teknike të shkrimit, gjë që e pamundësoi dhënien e çmimit të parë.
Vendi i dytë shkoi për dramën “Pastaj lindën legjendat” me autor Zyber Kelmendin, kurse vendi i tretë për dramën “Jeto tani për mua” nga Osman Goranci.
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku përgëzoi fituesit e dy çmimeve për dramën shqipe.
'' Po e vazhdojmë një traditë të MKRS, këtë rrahë për ndarjen e çmimeve për dramë origjinale shqip ''Katarina Josipi'' që është një formë se si ministria e kulturës jep mirënjohje”, ka thënë Çeku.
Ndërkaq, laureati i çmimit të dytë, Zyber Kelmendi, kritikoi jurinë për vlerësimin.
''Do të doja që urimin për vendin e parë ta bëja, por në mungesë të asaj po i'a uroj jurisë që e kanë rezervuar këtë vend për veten. Kishte nga ata miq që më thanë mos e prano çmimin është ofenduese të jesh i pari e të vlerësohesh si i dyti'', ka thënë Kelmendi.
Mendim ndryshe nga Kelmendi, kishte fituesi i çmimit të tretë.
''A e marrim çmimin e parë, dytë e të tretë, apo s’marrin çmim, kryesore të konkurrojmë. Konkursi për mu është festë mendoj edhe për çdo dramator”, ka thënë Goranci.
Kryetari i jurisë, Shpëtim Selmani tha se pas leximit të të gjitha veprave dhe pas diskutimeve, vendosën që t`i eliminojnë tetë vepra dhe të vazhdojnë me nëntë të tjera.























