Tahiri: Kërkojmë që të vazhdojë puna e institucioneve në veri|Video
V.Thaçi & A.Bela / RTKlive
(E plotësuar) Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, gjatë seancës së Kuvendit ka theksuar se institucionet e vendit kanë punuar më shumë se një dekadë për vendosjen e sundimit e rendit dhe ligjit në veri të Kosovës.
Ai po ashtu tha se ka pasur angazhim të përbashkët për vendosjen e policisë së Kosovës për të ofruar një ambient më të qetë, më të sigurt për të gjithë qytetarët që jetojnë në atë pjesë të vendit.
"Ka qenë angazhim i përbashkët për largimin e strukturave paralele, largimin e strukturave të cilat financoheshin nga Beogradi, largimin e strukturave të cilat mbështeteshin nga Tadiçi e më vonë nga Vuçiqi. Kësisoj, kemi pamundësuar funksionimin e kriminelëve që mbështetshin nga politika serbe", ka theksuar Tahiri.
Ai tutje theksoi se si opozitë e mbështesin edhe sot Qeverinë që të vazhdojë me funksionimin e punës së institucioneve në atë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës.
“Jeni përgjegjës për moslejimin e kthimit të gjendjes para korrikut të vitit 2011 dhe për mirëmbajtjen dhe ushtrimin e sovranitetit të Republikës së Kosovës edhe në atë pjesë të territorit të vendit tonë. Jeni përgjegjës për moslejimin e kthimit të strukturave paralele, prandaj ne do të ju mbështesim deri në atë moment ku ju nuk do të hiqni dorë nga ajo pjesë e territorit të Kosovës, të cilën me mund, sakrificë, dialog, politikë dhe angazhimin tonin e kemi kthyer nën menaxhimin dhe nën udhëheqjen e institucioneve të Qeverisë së Republikës së Kosovës, prandaj ju kërkojmë vigjilencë, angazhim, përkushtim që të vazhdojë puna e policisë së Kosovës në veri të vendit, puna e prokurorit të shtetit dhe e gjyqtarëve”, tha Tahiri.
Kusari Lila: Institucionet në veri po ballafaqohen me rrethana të reja
(E plotësuar) Kuvendi i Kosovës ka vazhduar seancën me deklarime jashtë rendit të ditës.
Deklarimin e ka nisur deputetja e LVV-së, Mimoza Kusari Lila, e cila tha se vendi po kalon në një periudhë të dinamikes së ngjarjeve politike krahas edhe atyre të sigurisë dhe përpjekjeve për tejkalimin e rrethanave të ndikuara nga jashtë në situatën ekonomike.
Kusari Lila tha se duhet të jemi të vetëdijshëm dhe të respektojmë mekanizmat shtetëror dhe bartësit e saj në tërë territorin e vendit, në veçanti në katër komunat e veriut të Republikës së Kosovës.
“Atje institucionet e vendit po ballafaqohen me rrethana të reja, të cilat erdhën si rezultat i ndikimit dhe presionit të Serbisë dhe Vuçiqit, në pamundësi të ballafaqimit me realitetin e pashmangshëm për zgjidhjen finale dhe normalizimin e raporteve në mes të dy shteteve", tha Kusari Lila.
Ajo shtoi se në atë pjesë të vendit burra dhe gra, djem dhe vajza të të gjitha etnive po ballafaqohen me presion dhe dhunë të vazhdueshme të projektuar dhe orkestruar nga Serbia për të braktisur punën dhe obligimin e tyre qytetar, shërbim të cilin e kanë përgjegjësi primare.
"Fatkeqësisht ne mungesë të zbatimit të rendit dhe ligjit po mundohen të imponohen rrethana të reja të cilat jo që do e lehtësonin pozitën e komunitetit serb në Kosovë, por do të rrisin peshën negociuse tashmë të humbur të Vuçiqit në raport me Kosovën", ka theksuar ajo.
Kuvendi nuk voton rezolutën kundër sulmeve ndaj integritetit seksual
(E plotësuar, ora 13:48) Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk kanë votuar pro rezolutës kundër sulmeve ndaj integritetit seksual, e propozuar nga deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili.
Nga 61 deputetë sa kanë votuar për këtë rezolutë, 26 deputetë votuan pro, një kundër dhe 34 deputetë abstenuan, gjë që e bëri këtë rezolutë të mos kalojë, raporton RTKlive.
Votimi i kësaj rezoluta erdhi pas një debati të deputetëve të të gjitha partive në Kuvend. Një pejsë e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, thanë se kjo rezolutë është me rëndësi për gratë e Kosovës.
Propozuesja e kësaj rezolute, deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ftoi deputetët që të votojnë këtë rezolutë.
Kreu i Kuvendit, Glauk Konjufca, e quajti fatkeqësi mos votimin e rezolutës, e cila nuk i mori votat e deputetëve.
Kreu i Kuvendit, Glauk Kojufca, njoftoi se Kuvendi shkon në pushim deri në ora 15:00, ku në rend dite është votimi i disa projektligjeve që kanë të bëjnë me FSK-në.
LIVE|Seanca e Kuvendit të Kosovës
(E plotësuar, ora 13:10) Kuvendi i Kosovës, po bën shqyrtimin e Propozim-rezolutës kundër sulmeve ndaj integritetit seksual. 
(E plotësuar, ora 12:30) Kuvendi i Kosovës, po vazhdon punimet me pyetjet parlamentare.
Murati: Mbi 100 milionë euro janë futur më shumë në ekonomi së në vitin paraprak
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha se bilanci bankar i Kosovës është më i ulët, por janë më shumë para që janë futur në ekonominë e vendit.
“Edhe në nivelin lokal edhe qendror ndryshon ritmi i investimeve, pra të ekzekutimit të tyre, komuna e Prishtinës, ka nivelin me të ulët të ekzekutimit”, tha Murati duke iu përgjigjur deputetit të LDK-së, Avdullah Hoti. Sipas tij nëse krahasohen investimet, janë mbi 160 milionë euro që janë futur në ekonominë e vendit.
Deputeti Kuvendit të Kosovës, Avdullah Hoti tha se janë shifrat të sakta. “Ministri është mësuar të manipulojë më shifra, ndërsa me mua nuk mundet”, tha Hoti. 
Hajdari: Kemi shtuar buxhetin për rezervat shtetërore
Rozeta Hajdari, Ministre e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, deklaroi se i kanë nënshkruar më shumë se një kontratë gjatë vitit 2022 dhe kanë pranuar të gjitha furnizimet me rezerva shtetërore sipas kontratave të nënshkruara, dhe një kontratë e re është në proces të negocimit, ndërsa një tjetër është në proces të sjelljes së sasisë së kontraktuar.

Ajo tha se të gjithë operatorët ekonomik i kanë kryer obligimet kështu që sasitë e deponuara të rezervave janë të vendosura në pjesë të ndryshme të vendit me sigurinë e operatorëve ekonomik sipas kontratave të nënshkruara.
“Ligji i rezervës shtetëror dhe i mallrave obligon departamentet e rezervës shtetërore dhe të mallrave për furnizime sipas planit 3 vjeçar 2021-2023, dhe sipas këtij plani me kërkesën 7.5 milion euro që kishte ky plan kemi aprovuar kërkesën buxhetore nga 7.5 milion plus 2.5 milion gjithsej 10 milion për vitin 2022 dhe 15 milion për vitin 2023 dhe kjo është falë kryeministrit Kurti dhe ministrit Murati, kemi shtuar buxhetin e departamentit të rezervës shtetërore dhe mallrave për 16 fish”, tha Hajdari.
Kuvendi i Kosovës, po vazhdon punimet me deklarimet jashtë rendit të ditës.
Kusari-Lila: Deputetët serbë me urdhër të Vuçiqit dorëzuan mandatet e tyre
Shefja e Grupit të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka folur për zhvillimet ë fundit në veri të vendit.
“Në katër komunat në veri të fundit, institucionet e Kosovës po ballafaqohen me rrethana të reja, të cilat erdhën si rezultat i ndikimit dhe presionit të Serbisë dhe Vuçiqit , në pamundësi të ballafaqimit me realitetin e pashmangshëm për zgjidhjen finale dhe normalizimin e raporteve në mes të dy shteteve. Burra dhe gra të të gjitha etnive po ballafaqohen me presion dhe dhunë të vazhdueshëm të projektuar dhe orkestruar nga Serbia po të braktisur punën”, tha ajo. 
Sipas saj atje po mundohen të krijohen rrethana të reja. “Deputetët serbë me urdhër të Vuçiqit dorëzuan mandatet e tyre. Ata edhe kur ishin këtu nuk përfaqësuan interesat e komunitetit serbë të Kosovës”, tha ajo, raporton RTKlive. Ajo iu drejtua qytetarëve serb në gjuhën serbe.
Tahiri: Opozita mbështet funksionimin e institucioneve në veri
Shefi i Grupit të deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se për më shumë se një dekadë kanë punuar së bashku që veriu të jetë pjesë në sistemin e Kosovës.
“Ka qenë një angazhim i përbashkët që të kemi largim të strukturave paralele që mbështeten nga Beogradi”, tha ai. Sipas tij, opozita do të mbështes funksionimin e institucioneve të Kosovës në atë pjesë të vendit. “Ne do të ju mbështesim deri në atë moment , kur ju nuk hiqni dorë nga ajo pjesë e vendit. Ne kërkojmë angazhim, vigjilenca dhe përkushtimi që të vazhdojë punën: policia, të vazhdojë puna e prokurorisë së vendit dhe puna e gjyqësorit në veri”, tha ai.
Gashi nga LDK: Kosova të mos rrezikojë partneritetin me ndërkombëtarët
Shefi i grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, tha vendi po kalon në fazë delikate dhe mungesa e përgjegjësisë po shkakton zhurma. 
“Kryeministri i Kosovës me sjelljet e tij duke nxitur zhurmën, ka shkaktuar problemin. Sot në pjesën veriore të Republikës kem më pak institucione të republikës, kemi më pak shtet, sepse kryeministri i nxitur nga egoja rrezikoi institucionin”, tha ai.
Sipas tij ata fuqishëm qëndrojnë në mbrojtje të institucioneve dhe të partneritetit me ndërkombëtarët. Ai tha se kërkesa e miqve të Kosovës duhet të merren parasysh edhe shtyrja e vendimit të targave ilegale që përdoren në veriun e Kosovës.
Haradinaj: Këto janë veprimet që duhet të merren nga qeveria
Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se duhet të merren vendime nga institucionet e Kosovës.
“Veprimi i parë është pranimi i kërkesës për shtyerje deri në marrëveshje. Pra, të dashur deputetë, të pozitës, qeveri, gjithë ju që e ndjeni peshën e situatës, ju lutem të bashkohemi në veprimin e parë, e veprimi i parë është pranimi i kërkesës për shtyerje të vendimit për targa deri në marrëveshje. Vendimi i i dytë që duhet ta marrim gjithë ne së bashku, jo vetëm qeveria, është dialogu me serbët lokalë, jo vetëm nga kjo foltore por një dialog intensiv për t'i kthyer ata në institucione, për t'ia kthyer besimin në institucionet e Kosovës”, tha ai. 
Sipas tij veprimi i tretë, por jo për nga pesha dhe rëndësia, është një dialog intensiv i qeverisë me opozitën, jo vetëm për shkak të konferencave për shtyp ose të fotografive apo të poenave politikë, por për shkak të gjendjes.
“Njëkohësisht, veprimi i katërt që duhet ta kërkojmë ne gjithë së bashku, është një samit, një takim disaditor në Amerikë, deri në përmbylljen e marrëveshjes finale me njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, në këtë rast, mes kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe atij të Serbisë. Ndryshe, ikja nga këto veprime, mos-hyrja në temë dhe përpjekja që përmes turizmit diplomatik e politik dhe shëtitja nëpër kryeqytetet e Evropës, apo edhe këtu deklarimet rrethanore, nuk e ndihmojnë gjendjen. Pra, nuk do të jetë faji vetëm i pozitës, të gjithë do ta bartim peshën e pasojave që na vijnë si vend”, tha ai.
Kuvendi sot shqyrton disa projektligje dhe raporte
Sot mbahet seanca plenare e Kuvendit, në të cikën në rend dite janë 20 pika.
Seanca do të fillojë me deklarimet e jashtë rendit, do të bëhet shqyrtimi i Propozim-rezolutës kundër sulmeve ndaj integritetit seksual, shqyrtimi i projektligjeve që kanë të bajnë më FSK-në, shqyrtimi për KPMSHCK-në, shqyrtimin e raportit të BQK-së, shqyrtimin e parë të Projektligjit për Prokurorinë Speciale etj, raporton RTKlive.
Këto janë të gjitha pikat e rendit të ditës: Miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme, deklarimet jashtë rendit të ditës, pyetjet parlamentare, shqyrtimi i Propozim-rezolutës kundër sulmeve ndaj integritetit seksual, shqyrtimi i dytë i Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës, shqyrtimi i dytë i Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës, shqyrtimi i dytë i Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Ministrinë e Mbrojtjes, shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përmbajnë procedura të veçanta administrative dhe harmonizimin e tyre me Ligjin për procedurën e përgjithshme administrative, shqyrtimi i parë i Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, shqyrtimi i parë i Projektligjit për Prokurorin e Shtetit, shqyrtimi i parë i Projektligjit për Prokurorinë Speciale, shqyrtimi i parë i Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, shqyrtimi i parë i Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit Penal i Republikës së Kosovës, shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje, shqyrtimi i kërkesës së Fondit të Kursimeve Pensionale për caktimin e taksave vjetore për vitin 2023, shqyrtimi i Raportit vjetor të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për vitin 2021, shqyrtimi i Raportit vjetor të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës për vitin 2021, shqyrtimi i Raportit vjetor të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës për vitin 2021, shqyrtimi i Propozim të Qeverisë së Republikës së Kosovës, datë 30 shtator 2022, për zgjedhjen e Komisionit Qendror të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave dhe shqyrtimi i rekomandimeve të dala nga shqyrtimi i Raportit të Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Telekomit të Kosovës për vitin 2021.























