Në 50-vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit, Rama ka një mesazh
BKT
Kulturë

Në 50-vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit, Rama ka një mesazh

RTSH

“Një nga arritjet më të mëdha shqiptare”, kështu e konsideroi kryeministri Edi Rama njehsimin e gjuhës shqipe. I pranishëm në Konferencën Jubilare të organizuar me rastin e 50- vjetorit të mbajtjes së Kongresit të Drejtshkrimit, Rama i njohu kontributet gjuhëtarëve të shquar si Eqerem Çabej, Mahir Domi dhe Aleks Buda, por u shpreh i keqardhur teksa theksoi se personalitete të tilla mungojnë sot.

Sipas Ramës, mungesa e "mendjeve të tilla të ndritura", kërcënon kulturën dhe integritetin tonë si komb, sepse kërcënon drejtpërdrejtë gjuhën e njehsuar shqipe.

“Kur lexon emrat dhe kur kërkon të ngjashmit e shumëkujt prej këtyre që sot nuk janë më, është e pamundur të mos ndiesh një ankth të thellë sepse të ngjashmit e Eqerem Çabej, Mahir Domit, Aleks Budës e me radhë, apo të ngjashmit e gjeneratës së re, vështirë, shumë vështirë. Shoqëria e të shtypurit të shkronjave shqip në 1979 te Kongresi i Manastirit, te Konsulta Letrare e Prishtinës dhe Kongresi që ne sot kujtojmë, janë mishërim  mendjesh shqiptare të ndritura që shekulli i ri nuk do t’i mblidhte dot bashkë, pavarësisht ndryshimeve që kanë ndodhur dhe kjo është një nga pikëpyetjet më të mëdha në rrugën tonë drejt të ardhmes dhe një nga boshllëqet më të mëdha që e kërcënon kulturën dhe integritetin tonë si komb sepse kërcënon drejtpërdrejtë gjuhën e njehsuar shqipe. Gjuha e njehsuar shqipe është arritja më e madhe shqiptare”, tha Rama.

Po ashtu, kreu i qeverisë bëri thirrje për një punë më të madhe për një fjalor të plotë të gjuhës shqipe, teksa tha se fjalori i shqipes zyrtare është vetëm gjysma e shqipes së vërtetë.

“Fjalori i shqipes zyrtare është vetëm gjysma e shqipes së vërtetë.  Unë shpresoj që ne do t’ia dalim të kemi një fjalor të ri. Edhe një histori të shqiptarëve, dhe pastaj edhe një enciklopedi që edhe për këtë ka filluar puna”, u shpreh kryeministri.

Kongresi i Drejtshkrimit të gjuhës shqipe zhvilloi punimet në Tiranë nga 20 deri në 25 nëntor të vitit 1972. Në Kongres u përfaqësuan gjerësisht forcat e shkencës, të arsimit dhe të kulturës shqiptare. Aty ishin të pranishëm 87 delegatë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi si dhe arbëreshë nga Italia. Synimi i mbledhjes së Kongresit ishte përcaktimi i parimeve dhe drejtimeve kryesore për hartimin e rregullave të drejtshkrimit, për të pasur një gjuhë letrare të njësuar kombëtare.


MË SHUME NGA Kulturë