Kurti: Kongresi i Drejtshkrimit kishte edhe rëndësinë politike
BKT
Kulturë

Kurti: Kongresi i Drejtshkrimit kishte edhe rëndësinë politike

M.Shefkiu/RTKlive

Kongresi i Drejtshkrimit ishte jo vetëm vazhdim i përkushtimit të rilindësve, por edhe një kurorëzim i gjithë atyre përpjekjeve shekullore për një shqipe të përbashkët. Kështu ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në Konferencën Jubilare të 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe. Ai ka thënë se veprimet dhe vendimet rreth gjuhës shqipe i paraprinë edhe veprimeve dhe vendimeve politike.

“Gjuha për ne shqiptarët është themel identitar dhe jo thjesht mjet komunikimi. Historia e standardizimit të gjuhës shqipe është e ndërlidhur ngushtë me historinë e ndërgjegjësimit tonë kombëtar, prandaj fazat e ndryshme të procesit të kristalizimit të shqipes së shkruar janë, në të njëjtën kohë, edhe faza të kristalizimit të kësaj ndërgjegjeje”, ka shkruar Kurti.

Synimi drejt njësimit të gjuhës së shkruar, për shqiptarët, sipas Kurtit, u kthye në një program që do të mundësonte edhe njësimin politik kombëtar.

“Kjo ishte arsyeja që për të gjithë letrarët shqiptarë, e sidomos për ata që nga Rilindja e këndej, ideja e shqipes së përbashkët u bë projekti kryesor atdhetar. Por, rruga drejt sendërtimit të këtij synimi nuk ishte e lehtë. U desh shumë mund, punë, përkushtim dhe jo rrallë edhe flijim, në mënyrë që shqipja të mbijetonte: të shkruhej, të mësohej e të kultivohej”, deklaroi Kurti.

Brenda gjuhës shqipe, sipas tij, për shekuj me radhë ishin zhvilluar tri gjuhë letrare, gegërishtja letrare, toskërishtja letrare dhe arbërishtja letrare. Por, rrethanat politike për shqiptarët, siç tha me tej Kurti,  ishin aq të ndera, “të pafavorshme sa dukej e pamundur që shqiptarët të përballonin edhe policentrizmin e pafavorshëm politik, edhe policentrizmin përçarës gjuhësor”.

“Kongresi i Drejtshkrimit i vitit 1972, 50-vjetorin e të cilit po e kremtojmë tani, nuk pati vetëm rëndësinë gjuhësore, por po aq, në mos edhe më shumë, rëndësinë politike. Sepse, ashtu si shumë herë në historinë tonë, veprimet dhe vendimet rreth gjuhës shqipe i paraprinë veprimeve dhe vendimeve politike. Ky Kongres ishte jo vetëm vazhdim i përkushtimit të rilindësve, i punës së Komisisë Letrare Shqipe, por edhe një kurorëzim i gjithë atyre përpjekjeve shekullore për një shqipe të përbashkët”, thotë kryeministri kosovar.

Gjuha letrare apo shqipja standarde, sipas Kurtit, nuk duhet konceptuar si e ngurtë, “ajo ka nevojë të reformohet për t’i ardhur më pranë mënyrës së si flitet e shkruhet shqipja sot, por edhe reformimi ka si parakusht përvetësimin masiv të gjuhës letrare përmes arsimit publik dhe mediave”.

Përndryshe në kushtet kur edhe ata që mbarojnë arsimin universitar bëjnë gabime gjatë shkrimit të shqipes letrare, çdo reformim i kësaj të fundit, siç potencon Kurti, më shumë do të prishte punë se sa do të ndreqte.

Kryeministri Kurti me këtë rast ka folur edhe për sfidave të komunikimeve onlajn e të rrjeteve sociale dhe rrezikun që teknologjia e informacionit paraqesin për shqipen.

“Duke qenë se jeta e gjuhës shqipe është kaq shumë e ndërthurur me fatet politike të kombit tonë, puna për kristalizimin e mëtutjeshëm të saj duhet të vazhdojë me të njëjtin zell e me të njëjtin përkushtim edhe nga brezat e rinj. Vetëm kështu gjuha shqipe do të mund t’u bëjë ballë sfidave që e presin në të ardhmen”, deklaroi Kurti.

Në këtë punë, kryeministri Kurti thotë se duhet të ndiqet këshilla e profesor Eqrem Çabej: “Gjuhëtarët do të udhëhiqen nga një ndjenjë e lartë përgjegjësie. Në formulim të çdo rregulle do të jetë e pranishme vetëdija që është puna për një drejtshkrim të caktuar jo për disa mijë veta, po për katër milionë njerëz që e kanë shqipen gjuhë amtare”

Katër milionë shqiptarët e asaj kohe, sipas kryeministrit Kurti, ishin shqiptarët e të gjitha trojeve. “Sot, këta shqiptarë, janë shtuar edhe për disa milionë të tjerë, kështu që përgjegjësia jonë duhet të jetë edhe më e madhe, përkushtimi ynë edhe më i thellë”, deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.


MË SHUME NGA Kulturë