Haradinaj: Situata në veri e rëndë, Kurti të ftohet në interpelancë
V. Thaçi / RTKlive
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kërkuar nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, që ta thërras në Interpelancë, kryeministrin Albin Kurti për situatën e krijuar në veri të vendit. Haradinaj në një konferencë të jashtëzakonshme për media, tha se situata politike dhe e sigurisë në Kosovë është ndër më të rëndat në këto 22 vjetët e fundit e për këtë rast paraqiti edhe një rezolutë duke i kërkuar Kuvendit që ta votojë atë.
“Serbia me aleatët e saj ka krijuar një skenar të destabilizimit të situatës në Kosovë, duke urdhëruar përfaqësuesit serbë në institucionet shtetërore e publike dhe të sigurisë që t'i braktisin ato”, tha Haradinaj.
Sa i përket veprimeve të institucioneve, Haradinaj, deklaroi se veprimet e deritashme të institucioneve të Kosovës nuk kanë qenë në përputhje me situatën e krijuar.
“Kryeministri i vendit në vend që të përfillë kërkesën e SHBA-së për të shtyrë zbatimin e marrëveshjes për targat, ka zgjedhur skenarin më të keq, zbatimin në faza të kësaj marrëveshjeje, me çka i ka dhënë hapësirë Serbisë, edhe ta luajë rolin e viktimës, edhe të ndërmarrë veprime anti Kosovë”, tha ai
“Fatkeqësisht as Presidentja e as Kuvendi i Republikës nuk kanë vepruar në përputhje me seriozitetin e situatës, duke vepruar sikur nuk ka ndodhur asgjë e jashtëzakonshme”, deklaroi Haradinaj.
Sipas tij, të gjithë këta së bashku në vend që të merren më zgjidhjen e situatës së krijuar, kanë filluar të kërkojnë fajtor brenda nesh. Situatat e jashtëzakonshme kërkojnë vendime të jashtëzakonshme.
Haradinaj, tha se duke pasur parasysh këtë situatë, sa të rëndë po aq edhe të rrezikshme, i propozoj Kuvendit të Republikës së Kosovës, ta votojë rezolutën me këto pika:
Rezolutë:
1. Qeveria e Republikës së Kosovës të marrë vendim menjëherë për shtyrje të vendimit për targa deri në marrëveshje finale,
2. Institucionet e Kosovës: Presidenca, Kuvendi, Qeveria e Republikës së Kosovës, institucionet në të gjitha nivelet, të fillojnë dialogun intensiv me serbët e Kosovës për t'u kthyer në institucionet e Kosovës dhe për të kthyer besimin e ndërsjellë.
3. Qeveria të nisë komunikim intensiv me faktorët më relevantë në vend, duke përfshirë edhe opozitën, jo vetëm si reflektim i gjendjes së krijuar por edhe si nevojë e gjetjes së rrugëdaljes nga situata e krijuar.
4. Të kërkohet një Samit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (takim disaditor), deri në përmbylljen e marrëveshjes finale për njohje Kosovë-Serbi.























