“Klasikja” mbyllet pa gola, Egnatia nuk fal, Kastrioti barazon me Kukësin
rtsh
Java e 12-të e Kategorisë Superiore ka nisur të dielën me 3 takimet e para dhe, në kryeqytet, në "Klasiken" e futbollit shqiptar, Tirana është ndarë me një barazim pa gola me Vllazninë, rezultat që i jep mundësi ndjekëses më të afërt, Partizanit, afrohet me rivalen e kreut nëse merr një fitore të hënën me Bylisin në Ballsh.
Ndërkaq, në barazim, por në shifrat 1-1, është mbyllur edhe takimi tjetër, i luajtur të dielën pasdreke, midis Kastriotit dhe Kukësit.
Pjesa e parë është mbyllur me rrjeta të paprekura, por krutanët kanë kaluar të parët në epërsi në minutën e 51-të, duke e ruajtur këtë epërsi deri në fund të kohës së rregullt.
Por në minutën e 4-t shtesë, është një autogol që i shpëton verilindorët nga humbje. Ndërkaq, në takimin e fundit që u zhvillua po të dielën pasdreke, Egnatia ka dëshmuar sërish se nuk është një rastësi, duke ruajtur vendin e saj në gjysmën e sipërme të renditjes falë një fitoreje 2-0 në shtëpinë e saj ndaj Laçit.
Edhe në këtë përballje, të luajtur në Rrogozhinë, pjesa e parë është mbyllur me rrjeta të paprekura, por vendasit kanë kaluar të parët në epërsi në minutën e 64-t, dhe, ndërsa kanë mbetur me 10 lojtarë në fund të kohës së rregullt, ia kanë dalë të gjejnë edhe gol të dytë në minutën e 8-të shtesë.
Dy takimet e fundit të kësaj jave luhen të hënën dhe, përveç përballjes së Ballshit midis Bylisit dhe Partizanit, Teuta pret në derbi Erzenin.























