Agroturizmi në Klos, kthimi në tokat e të parëve
BKT
Kulturë

Agroturizmi në Klos, kthimi në tokat e të parëve

atsh

Në Gur i Bardhë në Klos, në madhështinë e peizazhit malor, është ringritur me mbështetjen e programit IPARD, pika agroturistike “te Mulliri”.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca ndau në rrjetet sociale foto nga kjo bujtinë e re agroturistike, teksa tha “ringritja e shtëpisë në tokat e të parëve, ishte thirrja e Avniut për t’u zhvendosur në Shqipëri nga Anglia, vend ku emigroi për vite me radhë”.

“Vendimmarrja nuk ishte e lehtë, por pas vënies në jetë të projektit, në retrospektivë, thotë se ka marrë vendimin e duhur”, u shpreh ministrja.

Krifca tha se, bujtina e kthyer në pikë agroturistike ka punësuar të rinj të zonës dhe bashkëpunon me fermerët për sigurimin e prodhimeve të ndryshme bujqësore, që janë mjaft të kërkuara nga vizitorët.

“Stafin e angazhuar në bujtinë e ka nga vendi i arrave Gurabardha, siç i thonë vendalitë, të cilët punojnë me dëshirën për ta parë të suksesshëm aktivitetin e këtij sipërmarrësi që ka vendosur të shërbejë si magnet për vizitorë e të rigjallërojë fshatin”, tha ministrja.

Krifca theksoi se, investimi është mbështetur nga Programi IPARD dhe synon pikërisht rritjen e fuqisë ekonomike në fshat duke diversifikuar ekonominë bujqësore, duke nxitur prodhimin vendas, produktet tradicionale dhe duke promovuar natyrën e rrallë.

Bashkia Klos përmes këtyre sipërmarrjeve, fton turistët vendas dhe të huaj të vizitojnë  Gurin e Bardhë, si një destinacion i preferuar turistik që ofron pamje madhështore.

Gur i Bardhë, është nga më të bukurat që ka zona, për ujin, ngjyrat e natyrës që kompozohen bukur në peizazhin malor të Klosit.

Në fshatin Guri i Bardhë ndodhet vendi i quajtur “Gurrat”, aty ku uji është simbol i këtij vendi. Guri i Bardh është i klasifikuar në 100 fshatrat turistikë të Shqipërisë dhe përbën një vend që ia vlen për t’u vizituar.

Në këtë fshat ndodhet Kalaja e Petralbës e cila gjendet poshtë në pjesën e poshtme të fshatit Guri i Bardhë dhe përmbi fshatin Fshat, ku madhështisë së të shkuarës i bashkohen kullat që janë një pasuri e madhe e trashëgimisë së Klosit.

Guri i Bardhë ndodhet 9 km nga Klosi dhe rruga ofron pamje malore fantastike, një ballkon ku sheh përreth male, kulla të bardha, traditë mikpritjeje, një vend që çdo turist do ta ëndërronte.


MË SHUME NGA Kulturë