AAK nuk shkon në takim te presidentja, paraqet 4 pika për zgjidhje
BKT
Lajme

AAK nuk shkon në takim te presidentja, paraqet 4 pika për zgjidhje

M.Shefkiu/RTKlive

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) nuk do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga presidentja Vjosa Osmani, për të caktuar datën e zgjedhjeve në katër komunat e veriut. Pavarësisht mospjesëmarrjes, AAK ka dalë me një propozim prej 4 pikash për, siç thuhet, rikthimin e situatës në normalitet, jo vetëm në veri, por në gjithë Kosovën.

Pika e parë sipas AAK-së, është që: Qeveria e Republikës së Kosovës të marrë vendim menjëherë për shtyrje të vendimit për targa deri në marrëveshje finale”.

“2. Institucionet e Kosovës: Presidenca, Kuvendi, Qeveria e Republikës së Kosovës, institucionet në të gjitha nivelet, të fillojnë dialogun intensiv me serbët e Kosovës për t’u kthyer në institucionet e Kosovës dhe për të kthyer besimin e ndërsjellë. 3. Qeveria të nisë komunikim intensiv me faktorët më relevantë në vend, duke përfshirë edhe opozitën, jo vetëm si reflektim i gjendjes së krijuar por edhe si nevojë e gjetjes së rrugëdaljes nga situata e krijuar. 4. Të kërkohet një Samit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (takim disaditor), deri në përmbylljen e marrëveshjes finale për njohje reciproke Kosovë-Serbi”, thuhet në pikat e propozuara nga partia e drejtuar nga Ramush Haradinaj.

Për këtë qëllim, AAK thotë se ka thirrur në interpelancë edhe kryeministrin e vendit, Albin Kurti.

Dhe sipas AAK-së, derisa nuk do të ketë një reflektim për këto kërkesa, kjo parti thuhet se nuk do të jetë  pjesë e nismave, “që veç sa e komplikojnë edhe më tej situatën në vend”.


MË SHUME NGA Lajme