Për zgjedhjet në veri duhet koordinim me ndërkombëtarët
BKT
Lajme

Për zgjedhjet në veri duhet koordinim me ndërkombëtarët

Pajtim Çuni / Radio Kosova

Presidentja Vjosa Osmani, sot pret në takim partitë politike, në lidhje me caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Analistë politikë e monitorues të zgjedhjeve thonë se për mbajtjen e zgjedhjeve në veri, është i domosdoshëm dakordimi ndërmjet spektrit politik dhe përfaqësueseve të komunitetit serb, në të kundërtën mbajtja e tyre mund të dështojë.

Pas takimit të sotëm me partitë politike, presidentja Vjosa Osmani pritet të caktojë datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, Katër ish-kryetarë e komunave ishin kandidatë të Listës Serbe, dhe dhënë dorëheqje më 5 nëntor, në shenjë pakënaqësie me vendimin për targat.

Aktualisht, sipas Regjistrit të Partive Politike, Lista Serbe, e Goran Rakićit, Partia Demokratike Progresive dhe Partia e Serbëve të Kosovës janë parti serbe të regjistruara që mund të marrin pjesë në zgjedhje, e  përveç tyre, ndërkohë mund të ketë edhe subjekte të tjera.

Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se përtej pjesës ligjore, në rrafshin praktik, organizimi dhe mbajtja e zgjedhjeve pa pjesëmarrjen e Listës Serbe, e cila fiton mbi 90 për qind të votave në çdo palë zgjedhje në komunat veriore, rrezikon ta kthejë Kosovën në situatën e para vitit 2013, kur dalja në zgjedhje nuk arrinte as 5 %.

 “Edhe me vetë pjesëmarrjen e Listës Serbe, zgjedhjet në katër komunat veriore janë karakterizuar gjithmonë nga një garë e pa barabartë, atmosferë e tensionuar, kërcënime, shantazhe, frikësim i votuesve. Marrë parasysh këtë, vetëm mund ta paramendojmë se si do të duket në fakt organizimi i zgjedhjeve atje, pa pasur një lloj dakordimi ndërmjet spektrit tonë politik dhe përfaqësueseve të komunitetit serb për të marrë pjesë në zgjedhje”, tha Cakolli.

Ndërsa, analisti politik, Artan Muhaxhiri, thotë se për secilin proces zgjedhor, element kyç është legjitimiteti i tyre dhe respektimi i vullnetit politik të qytetarëve. Nëse kjo nuk ndodh, mbajtja “normale” e zgjedhje lokale në komunat veriore është proces i pamundshëm, thotë ai.

 “Mendoj se nuk është e mundshme që të zhvillohen zgjedhje normale pa harmonizimin e veprimeve të institucioneve të Kosovës edhe me aleatët tanë ndërkombëtarë, por edhe me përfaqësuesit politikë të serbëve. Pra, shteti i Kosovës mund të marrë vendime të njëanshme, për organizimin e zgjedhjeve, por këto nuk do të jenë të efektshme në terren dhe mund të kthehen në bumerang”, tha ai.

Sipas Ligjit për Zgjedhjet Lokale, në rast të dorëheqjeve të kryetarit të komunës, presidenti në afat prej 10 ditësh shpall zgjedhjet e jashtëzakonshme e që duhet të mbahen jo më vonë se 45 ditë nga shpallja.


MË SHUME NGA Lajme