Data e heqjes së vizave për Kosovën, mësohet të mërkurën
Jeton Musliu/RTKlive
Grupi Punues i Komisionit Evropian pritet të takohet me 16 nëntor ku do të procedojë dokumentin për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Kështu deklaroi korespodentja e RTK-së në Bruksel, Gjeraqina Tuhina, e cila mori pjesë në bisedën e hapur të organizuar nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur në Prishtinë, me temën “Liberalizimi i vizave për Kosovën: Fillimi i fundit”.
Tuhina deklaroi se nëse nuk do të ketë kundërshtime nga shtetet anëtare, pritet që nga 1 dhjetori i vitit 2023, kosovarët të lëvizin pa viza, raporton RTKlive.
Ajo deklaroi se përafrim të qëndrimeve ka treguar edhe një grup tjetër i shteteve që kanë insistuar që megjithatë, kosovarët pavarësisht sistemit ETIAS-it, ta kenë edhe datën e qartë se kur është momenti i fundit që të nis liberalizimi i vizave.
“U gjet një formulim i kompromisit në mes të dy grupeve të shteteve”, deklaroi Tuhina, sipas së cilës, të mërkurën do të merret përfundimisht vesh nëse data e heqjes së vizave për kosovarët do të jetë 1 nëntori apo 1 dhjetori, 2023.
Ajo deklaroi se janë edhe dy ditë deri të mërkurën në orën 14:00, për t’u miratuar data e heqjes së vizave.
“Nëse asnjë nga shtetet anëtare nuk del me vërejtje, atëherë pas këtij afati nisin procedurat formale dhe nuk ka më kthim mbrapa”.
Tuhina u shpreh se shpreson që së paku, nga e mërkura e ardhshme do ta dihet data e saktë e liberalizimit të vizave, nëse ajo do të jetë 1 nëntori apo 1 dhjetori 2023.
Kosova ka përmbushur kriteret për liberalizim të vizave rreth pesë vjet më parë, dhe janë dy rekomandime deri më tash nga Komisioni Evropian. Megjithatë, deri më tash kosovarët mbesin të vetmit që për të hyrë në zonën Schengen dueht të kenë vizë.























