Reagim nga Policia e Kosovës: Nuk e kemi sulmuar asnjë qytetar në veri
M.Shefkiu/RTKlive
Policia e Kosovës mohon se zyrtarët policorë në pikëkalimin kufitar në Jarinje kanë sulmuar Miodrag Miliqeviqin, duke i konsideruar deklaratat e disa medieve si të pavërteta.
“Sot,në orën 09:28 personi në fjalë (M.M.) me automjetin e tij është paraqitur në vendkalimin kufitar SPK-Jarinje dhe, pas përfundimit të procedurave kufitare, i njëjti pa asnjë problem ka vazhduar në drejtim të Republikës së Serbisë. Vlen të potencohet se ndaj të njëjtit nuk ka pasur asnjë incident apo maltretim siç deklarohet apo aludohet në shkrimet e publikuara”, shkruan në raportin e Policisë.
Me qëllim të riverifikimit, Policia e Kosovës, thuhet se ka ndërmarrë masa shtesë, ku zyrtarët policorë me detyrë në Jarinje kanë pyetur edhe palën serbe nëse dikush ka paraqitur ndonjë ankesë. “Nga mbikëqyrësi i ndërrimit të palës serbe është konfirmuar se nuk ka pasur ndonjë ankesë për sjellje jo të mirë apo diçka të kësaj natyre”, konsideron Policia.
Ndryshe, organizata joqeveritare "Aktiv", me seli në Mitrovicë të Veriut, tha se drejtori ekzekutiv i saj, Miodrag Milliqeviq, është “abuzuar fizikisht dhe verbalisht” nga pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës.
Policia, po ashtu, bën thirrje për raportim të saktë dhe korrekt në mënyrë që mos të njolloset puna profesionale e Policisë. “Policia e Kosovës do të vazhdojë angazhimin e saj drejt përmbushjes së misionit dhe vizionit të saj, të ofrojë zbatimin e ligjit në Republikën e Kosovës në mënyrë profesionale dhe efikase ndaj të gjithë qytetarëve pa dallime”, thuhet në reagim .























