Borrell: Zgjidhje praktike për çështjen e targave para 21 nëntorit|Video
BKT
Lajme

Borrell: Zgjidhje praktike për çështjen e targave para 21 nëntorit|Video

Muharrem MIftari/RTKlive

Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, ka bërë thirrje që Kosova dhe Serbia duhet të tregojnë më shumë fleksibilitet pas zhvillimeve të fundit që janë duke ndodhur.

Sipas tij, të dyja palët duhet të tregohen të gatshme për të gjetur një rrugë për të ulur këto tensione, derisa shtoi se nuk është e  pranueshme që asnjëra palë të shkelë a të injorojë obligimet që kanë marrë përsipër nga dialogu.

Borrell, në një konferencë për media sot pas përfundimit të takimit me ministrat evropianë, shprehu gatishmërinë që tani kryenegociatorët të fillojnë punën këtu në Bruksel mbi hapat vijues.

Ai bëri të ditur se pala e Kosovës do të arrijë sonte dhe u shpreh  i gatshëm që t’i thërrasë liderët nëse negociatorët arrijnë të gjejnë një lloj zgjidhje praktike për çështjen e targave para 21 nëntorit.

“Nuk do të kalojmë te kjo datë pa arritur ndonjë marrëveshje ose do të jemi në skaj të një eskalimi. Pra tërheqja e serbëve nga institucionet  nga policia dhe gjyqësori, etj., ka krijuar një vakum në veri të Kosovës, ku mund të ndodhë edhe më e keqja. Pra të dyja palët duhet të shfaqin më shumë fleksibilitet”, tha Borrell.

“Mesazhi nga Këshilli i BE-së është i qartë: Na duhet të shohim progres të qartë. Kemi prezantuar një lloj propozimi dhe falenderoj Gjermaninë e Francën që kanë mbështetur fuqimisht këtë propozim”, tha më tej Borrell.

Por, nga ana tjetër, Borrell ftoi serbët e Kosovës që të kthehen në institucione dhe në të njëjtën kohë ftoi autoritetet e Kosovës që të shfaqin fleksibilitet për targat e automjeteve dhe të punojnë në zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe pa vonesë.

“Me partnerët që aspirojnë në një të ardhme evropiane ne presim sjellje e veprim evropian, presim vullnet për të gjetur zgjidhje evropiane, ky është një parakusht themelor. Tani gjenden para një udhëkryqi dhe duhet të zgjedhin në cilën rrugë duan të shkojnë: drejt BE-së apo drejt së kaluarës”, deklaroi mes tjerash Borrell.

 


MË SHUME NGA Lajme