Osmani premton mbështetje për komunitetet e margjinalizuara
Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim një grup të grave nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, të shoqëruara nga përfaqësuese të qendrës “Concordia” në Prizren.
Presidentja Osmani u informua rreth punës dhe projekteve të kësaj qendre, e cila është e fokusuar në përkrahje të fëmijëve dhe grave nga komunitetet e margjinalizuara në Kosovë. Qendra punon kryesisht me pjesëtarë të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.
Sipas një njoftimi, presidentja u informua edhe me fushëveprimin e organizatës në përkrahje të fëmijëve dhe grave të këtyre komuniteteve përmes shërbimeve të ndryshme psiko-sociale dhe edukative.
“Presidentja Osmani ka ritheksuar përkushtimin e saj të palëkundur dhe të Presidencës së Republikës në mbështetje të komuniteteve të margjinalizuara, me theks të veçantë fëmijët dhe gratë, duke përmendur rëndësinë e një shoqërie me mundësi të barabarta për të gjithë”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga zyra e presidentes Osmani.























