Dua Lipa koncert në Tiranë, Veliaj: Ju mirëpresim të gjithëve në shesh
Kulturë

Dua Lipa koncert në Tiranë, Veliaj: Ju mirëpresim të gjithëve në shesh

atsh

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha sot në mbledhjen e Këshillit Bashkiak se “morëm një superlajm se Dua Lipa, mikesha jonë e Tiranës dhe Shqipërisë, ka vendosur ta mbyllë turin e saj botëror në Tiranë, në datën 28 nëntor, me një koncert falas për të gjithë”.

“Do të festojmë Ditën e Flamurit dhe Festën e Pavarësisë, por edhe mbylljen e një viti të mrekullueshëm për Tiranën si “Kryeqyteti Europian i Rinisë”, për t’ia kaluar stafetën titullit “Qyteti Europian i Sportit 2023”. Do të festojmë siç i ka hije një qyteti “, tha Veliaj.

Mandej, kryebashkiaku bëri me dije disa data të rëndësishme në të cilat do ketë aktivitete të rëndësishme në Tiranë.

Veliaj i bëri thirrje qytetarëve, që siç është bërë traditë tashmë, të vendosin flamujt kuqezi në ballkonet dhe dritaret e tyre për festat e Nëntorit.

“I ftoj të gjithë qytetarët të valëvisin flamurin shqiptar. Kjo është java kur e gjithë Tirana do të zbukurohet. Kanë filluar instalimet për Festat e Nëntorit, këndet e lojërave për fëmijët për Vitin e Ri, fshatin e fundfestave etj. Do të kemi kampionatin botëror të futbollit. Ndaj, i kërkojmë të gjithë qytetarëve, nëse kanë një flamur ta vendosin në ballkonet e tyre, që Tirana të marrë një atmosferë festive. Në datën 23 Nëntor do të kemi aktivitetin për kalimin e stafetës për Kryeqytetin Evropian të Rinisë për vitin 2025. Gjithashtu, qyteti po përgatitet për të mirëpritur krerët e Bashkimit Evropian në datën 6 dhjetor, edhe krerët e Ballkanit Perëndimor”, u shpreh Veliaj.


MË SHUME NGA Kulturë