AAK kërkon një amendament të ri në Projektbuxhetin e vitit 2023
BKT
Lajme

AAK kërkon një amendament të ri në Projektbuxhetin e vitit 2023

Arlinda Sejda / RTK

Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka organizuar tryezën e diskutimit me temën “Projektligji i Buxhetit të Kosovës për vitin 2023 – Ligji i Pagave”.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, me këtë rast, ka thënë se buxheti i vitit 2023 nuk e reflekton qëndrimin politik të AAK-së.

“Neve na brengos fakti që në kontingjentin 70 milionë eurosh, është një tendencë e manipulimit te shërbyesit civil. Tash e 5 javë ka përfunduar Projektligji i Buxhetit të Kosovës për vitin 2023 dhe nuk po shohim zgjidhje”, tha Tahiri.

Ai ka bërë të ditur se si grup parlamentar kanë diskutuar në detaje dhe se mënyra e vetme për një  përgjigjeje emergjente është miratimi i një amendamenti që në buxhetin e vitit 2023 të përfshihet një rritje lineare deri në 30%.

Në anën tjetër deputeti i AAK-së, Pal Lekaj tha se është e vërtet që qeveria e Kosovës është krenare me buxhetin e propozuar prej  3.2 miliardësh, porse siç tha ai, nuk po bëjnë analizë të inflacionit me 20%, që i bie se nuk ka rritje të buxhetit.

“Është e vërtetë se Qeveria është krenare për buxhetin e propozuar për vitin 2023, mirëpo nuk po e bëjnë analizën e inflacionit. Nëse e krahasojmë inflacionin 20 për qind, atëherë konsiderojmë se nuk ka rritje të buxhetit por ka regres. Në vitin fiskal mund të shkohet në 20 për qind shpenzueshmëria më e ulët krahasuar me qeveritë e kaluara, gjë që e ka dëmtuar edhe buxhetin e shtetit”, tha Lekaj.

Deputeti Shemsedin Dreshaj, ndërkaq tha se shkaku i pagave dinjitoze 191 mjekë vetëm këtë vit e kanë lëshuar vendin.

Ndërkaq, Rrahman Jasharaj nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit (SBAShK), tha se nuk kanë qasje në ligjin për paga, për faktin se qeveria totalisht i ka neglizhuar sindikatat. "Nuk e kemi qasjen nga qeveria e cila totalisht i ka neglizhuar sindikatat. Qeveria nuk ndalet me tendencat për t'i  zhbërë sindikatat”, tha Jasharaj.

Ai ka përgëzuar për angazhimet AAK-në si opozitë, porse sipas tij, qeveria ka deformuar kërkesën prej 100 eurove.

“Në nëntor ishim takuar me ministrin Xhelal Sveçla dhe na kishte kërkuar qetësi, duke na premtuar se në mars do të ishim të kyçur drejtpërdrejt në Ligjin e Pagave, por në mars nuk kishim asnjë qasje në këtë ligj”, deklaroi Jasharaj.

Njerëzit në arsim, sipas tij, filluan të bëjnë llogaritje për pagën, derisa ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci e ka bërë këtë “vetëm sa për të ndikuar tek grevistët”.


MË SHUME NGA Lajme