Konferenca ‘Arkeologjia e Ballkanit’ mbledh bashkëpunëtorë ndërkombëtarë
Foto: Fatos Cervadiku/ RTK
Kulturë

Konferenca ‘Arkeologjia e Ballkanit’ mbledh bashkëpunëtorë ndërkombëtarë

K.Kasumi/ RTKlive

Sot u mbajt Konferenca Ndërkombëtare "Arkeologjia e Ballkanit", në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.

Ushtruesja e detyrës e rektorit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Luljeta Plakolli-Kasumi, ka marrë sot pjesë në konferencën ndërkombëtare “Arkeologjia e Ballkanit”. Ajo ka thënë se bashkëpunimi i UP-së me studiues nga Shqipëria daton që nga viti 2002, kur studentëve të UP-së u është mundësuar vazhdimi i studimeve të specializuara në fushën e arkeologjisë në shumë vende të botës.

“Kam kënaqësinë që sot jem pjesë e hapjes së punimeve të konferencës ndërkombëtare ‘Arkeologjia e Ballkanit’, e cila mbledh studiues të shumtë vendorë dhe të huaj të fushës së arkeologjisë dhe disiplinave të saj, për të prezantuar dhe për të diskutuar rezultatet e gërmimeve dhe studimeve të fundit nga fusha e studimeve arkeologjike në territorin e Ballkanit”, tha Plakolli-Kasumi.

“Organizimi i kësaj konference akademike - shkencore është fryt i një bashkëpunimit të autoriteteve të Kosovës me ato perëndimore në fushën e studimeve arkeologjike. Sa i përket Universitetit të Prishtinës, bashkëpunimi zë fill që në vitin 2002 në Butrint, përkatësisht në vitin 2004 në Apoloni, ku studentët e UP-së kishin mundësi të përfitojnë nga trajnimet në terren në kuadër të projekteve arkeologjike që zhvilloheshin atje dhe iu mundësua vazhdimi i studimeve të specializuara në fushën e arkeologjisë në shumë vende të botës”, shtoi Plakolli-Kasumi.

Profesori universitar, njëherësh deputet i Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Ardian Gola, tha se prodhimtaria arkeologjike në Kosovë është shumë e madhe dhe se Kosova është një lloj parajse arkeologjike për shumë studiues.

“Për shtetin e Kosovës prodhimtaria në fushën arkeologjike është në interes të shumëfishtë, duke filluar me interesin historik, me ç’rast kemi të bëjmë me një fushë që na shpalos në mënyrë të vazhdueshme rezistencën e lartë historike të popujve që jetojnë në këtë hapësirë. Kosova është një kompleks pothuajse arkeologjik, me lokalitete të shumta arkeologjike. Është një lloj parajse arkeologjike për shumë studiues, hulumtues dhe shkencëtarë pavarësisht”, tha Gola.

Christophe Goddard, studiues francez, tha se bashkëpunimi është shtyrë nga kolegët nga Shqipëria.

 “Kjo ide ka nisur para disa vjetësh. Me kolegë të tjerë francezë jemi bërë bashkë në këtë rrjet të hulumtimit dhe që të publikohen gjetjet që janë bërë në këto qytete. Ky bashkëpunim është shtyrë edhe nga kolegë nga Shqipëria dhe e kanë zgjeruar në masë të madhe këtë rrjet”, tha ai.


MË SHUME NGA Kulturë