Njohësit e rrethanave politike kërkojnë zgjidhje kreative për veriun
Bardha Shkreli / Radio Kosova
Njohësit e rrethanave politike në vend, hezitojnë të thonë prerazi se mund të arrihet një kompromis për çështjen e targave para datës 21 nëntor. Megjithatë, ata konsiderojnë se nuk është ide e mirë e Qeverisë së Kosovës që të insistojë në vendimin e saj të deritanishëm.
Situata rreth targave në veri është komplikuar jashtëzakonisht, prandaj, të gjitha palët duhet të kërkojnë zgjidhje kompromisi, e që sipas njohësit të rrethanave politike, Artan Muhaxhiri, nënkupton një model tjetër nga ai i fillimit të aplikimit të gjobave.
“Më këtë tensionim të skajshëm të situatës, absolutisht, nuk është ide e mirë e Qeverisë së Kosovës të insistojë në vendimin e saj të deritanishëm. Pra, duhet të gjendet një zgjidhje kreative, një zgjidhje e cila është inteligjente, diplomatike ,në mënyrë që ky potencial për eskalim të mos shkojë deri në fund”, tha ai për Radio Kosova.
Gazmend Raci, njohës i rrethanave politike në vend, thotë se Qeveria e Kosovës duhet të shtyjë afatin për konvertimin e targave por sipas tij, në pajtueshmëri me faktorin ndërkombëtar kjo duhet të jetë shtyrja e fundit .
“Do të ishte mirë që të gjendet një zgjidhje, në mënyrë që të mos provokohet situata e sigurisë e sidomos në pjesën veriore. Sepse shumë po flitet që ka mundësi që situata të eskalojë pas të dielës. Dhe, natyrisht kërkohet që nga institucionet e Kosovës që me përgjegjësi dhe maturi ta trajtojnë kërkesën e faktorit ndërkombëtar për ta shtyrë. Por, kjo duhet të jetë shtyrja e fundit si afat”, tha Raci për Radio Kosova.
Në vitin 2011 Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar marrëveshjen e lëvizjes së lirë, në të cilën thuhet se qytetarët serbë duhet të pajisen me targa RKS. Deri më tani shumica e qytetarëve serbë i kanë pajisur automjetet e tyre me targa RKS por një pjesë e tyre, që kryesisht vijnë nga veriu i vendit, kanë hezituar ta bëjnë këtë. Numri i tyre llogaritet të jetë afër 9 mijë qytetarë serbë. Qeveria e Kosovës, më herët e ka shtyrë afatin për zbatimin e kësaj marrëveshjeje.























