Opozita kërkon koordinim me ndërkombëtarët për veprimet në veri
BKT
Foto: RTK
Lajme

Opozita kërkon koordinim me ndërkombëtarët për veprimet në veri

Albana Bajrami/Radio Kosova

Kanë mbetur edhe pak ditë për të filluar gjobitjet e qytetarëve që nuk i kanë konvertuar targat ilegale serbe në RKS. Për këtë çështje, deputetë të opozitës kanë deklaruar se qeveria duhet të ketë një koordinim të mirë me partnerët ndërkombëtarë, në mënyrë që të mos eskalojë situata në veri pas datës 21 nëntor.

Qytetarët serbë, të cilët nuk do t’i konvertojnë targat ilegale në RKS, sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, do të gjobiten me nga 150 euro nga data 21 nëntor. Me gjithë kërkesën e ndërkombëtarëve, qeveria ende nuk ka marrë ndonjë vendim për shtyrje të afatit. Deputeti i LDK-së, Anton Quni, tha për Radio Kosovën se është shumë e rëndësishme që çdo veprim i autoriteteve të qeverisë të jetë i koordinuar mirë me partnerët strategjikë.

“Tanimë është e dëshmuar që gjithnjë kur kemi menaxhuar me situata komplekse, kemi pasur mbështetjen e partnerëve tanë dhe ato situata janë tejkaluar pa pasoja. Kam frikë se nëse me këtë këmbëngulje dhe me këtë qasje, përkundër kërkesës së autoriteteve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, mundet që situata të eskalojë dhe të krijohen situata deri te konfrontimet fizike, që nuk do të ishte mirë për situatën që aktualisht gjendemi”, deklaroi Quni.

Ndërkaq, deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, theksoi se kjo parti ia ka dhënë mbështetjen qeverisë në këtë drejtim, por duke u koordinuar me aleatët ndërkombëtarë.

“Ne i kemi dhënë mbështetje qeverisë në këtë drejtim, por gjithsesi kemi kërkuar që të ketë një koordinim të mirë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me akterët të cilët e kanë ndihmuar këtë proces. Ne nuk kemi parë ende një plan të qartë e të detajuar lidhur me zhvillimet, të cilat e presin Kosovën javën e ardhshme e për të cilat qeveria duhet të ketë përgjigjen e saj”, thotë Deliu.

E deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, duke kritikuar qeverinë se nuk i ka marrë parasysh sugjerimet e tyre, ka thënë se situata në veri është shumë e tensionuar.

“Është gabim shumë i madh që qeveria po e mban situatën demek të relaksuar sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Unë ju siguroj dhe e di saktë se çfarë po flas, se situata në veri është shumë e tensionuar. Por, jo vetëm në veri, nuk i përmenda edhe 360 kilometra që na ndajnë me Serbinë, e që sot sovraniteti dhe integriteti i vendit tonë shkelet për çdo ditë nga forcat e xhandarmërisë serbe”, deklaroi Berisha.

Aktualisht situata në katër komunat e vendit në veri është e qetë, ndonëse dhjetëra policë të Kosovës të komunitetit serb, kanë braktisur detyrën. Serbia vazhdon të kundërshtojë vendimin e Kosovës për zëvendësimin e targave ilegale KM me ato RKS.


MË SHUME NGA Lajme