Abazi: Të nisin bisedimet për të parandaluar përshkallëzimin e situatës
M.Shefkiu/RTKlive
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe njëherësh kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Haki Abazi, në konferencën e sotme për media, ka kërkuar rikthimin në tavolinën e bisedimeve me shtetet partnere, për të parandaluar përshkallëzimin e mundshëm të situatës në veri.
Abazi ka thënë se të gjithë janë të alarmuar, në veçanti partnerët ndërkombëtarë për mundësinë e përshkallëzimit të situatës, sidomos pas datës 21 nëntor, kur fillon gjobitja e qytetarëve që ngasin vetura me targa ilegale.
Sipas tij, targat kanë qenë vetëm preteksti që Serbia të tregoj “muskujt” kundrejt fazës së re të krijuar pas rinisjes së Procesit të Berlinit dhe nënshkrimit të marrëveshjeve atje.
“Strategjia dalëse nga kjo situatë për t’ia hequr Serbisë çfarëdo justifikimi për të përdorur strukturat kriminale në veri, duhet të na kthej në tavolinën e bisedimeve me shtetet partnere për të akorduar qëndrimet dhe planin e përgjithshëm përtej dialogut, për të parandaluar çfarëdo përshkallëzimi të situatës sipas planit të Serbisë, por edhe për t’u fokusuar në çështjet strategjike të përmbylljes së marrëveshjes finale për normalizim dhe njohje”, konsideron Abazi.
Rifokusimi, sipas tij, kërkon përfshirje të të gjithë akterëve relevantë dhe po ashtu transparencë lidhur me propozimet të cilat dalin nga Kosova në drejtim të palëve. Abazi në këtë konferencë ka folur edhe për çështjet e tjera, përfshirë Projektligji për buxhetin për vitin 2023 dhe mbetjet nga rreziku i azbestit.























