Kurti: Qeveria synon t’i mbrojë qytetarët nga rritja e çmimeve
Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive
(E plotësuar) Në forumin Socio-Ekologjik në Shkup, kryeministri, Albin Kurti tha se Qeveria e Kosovës, synon të mbrojë qytetarët nga rritja e çmimeve.
Kreu qeveritar gjatë fjalimit të tij tha se tejkalimi i çdo krize sot kërkon bashkëpunim dhe solidaritet, në veçanti kriza energjetike që sipas tij mund të kapërcehet vetëm nëse kërkohet zgjidhje edhe për rajonin dhe jo vetëm për veten.
“Qeveria është e përkushtuar që të vendos themelet e së ardhmes së sektorit të energjisë në vend, i cili gjithnjë e më shumë do të ofrojë siguri në furnizim me energji elektrike, energji të pastër, efiçencë të energjisë, pjesëmarrje aktive të qytetarëve dhe mbështetje për grupet e cenueshme”.
Tutje në këtë diskutim si panelist, shefi i ekzekutivit kosovar tha se sa i përket forcimit të bashkëpunimit rajonal dhe funksionimin e tregut, Kosova është e përkushtuar në zbatimin e të gjitha obligimeve të Traktatit të Komunitetit të Energjisë për krijimin e një tregu të lirë, të integruar dhe konkurrues së energjisë elektrike.
“Ne synojmë të integrojmë energjinë e Kosovës në tregun rajonal dhe pan-evropian – integrimi i tregut me Republikën e Shqipërisë është një prioritet i lartë dhe veçanërisht i rëndësishëm për vendin tonë. Hapi i parë më i rëndësishëm këtu do të jetë funksionimi i plotë i Bursës Shqiptare të Energjisë (ALPEX), i cili pritet në fillim të vitit 2023”, u shpreh ai.
Kurti tha se përveç synimit për t’i mbrojtur qytetarët nga rritja e çmimeve, do të sigurojnë që të ketë stimuj për ta, për të rritur efikasitetin e energjisë dhe për të ulur kërkesën për energji.
“Nga viti i ardhshëm, po përshpejtojmë investimet në efiçencën e energjisë në sektorin e banesave, projektet e gjenerimit të burimeve të rinovueshme dhe sistemet e qëndrueshme të ngrohjes qendrore. Në të ardhmen e afërt masat si izolimi i shtëpive, instalimi i paneleve diellore, blerja e pajisjeve shtëpiake efikase ose sistemet efikase të ngrohjes duhet të jenë të mundshme për një gamë të gjerë të popullsisë, kurse në fillim të vitit të ardhshëm do të hapim ankandet e para me qëllim që deri në vitin 2031 të kemi ndërtuar 1400 MË kapacitete të erës dhe diellore dhe të rrisim pjesëmarrjen e burimeve të rinovueshme në 35%”, tha kryeministri Kurti.
Kurti nga Shkupi: Fatmirësisht, Kosova nuk varet nga gazi rus
Gjatë diskutimit në Forumin Socio-Ekologjik me temën “Një transformim i drejtë për Evropë të vetëmjaftueshme me energji”, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se Kosova është e angazhuar për t’i përmbushur të gjitha obligimet për energji, për treg të lirë të energjisë.
Kreu qeveritar tha se fatmirësisht, Kosova nuk varet nga gazi rus.
Pjesë e këtij paneli të diskutimit është edhe kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski.
Kurti në Shkup, pjesë e Forumit Socio-Ekologjik
Në kryeqytetin maqedonas, Shkup kanë nisur punimet e Forumit Socio-Ekologjik 2022 me temën “Një transformim i drejtë për Evropë të vetëmjaftueshme me energji”.
Pjesë e këtij paneli të diskutimit është edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ndërkohë, nga Shkupi, kryeministri do të kthehet në Prizren në një tjetër ngjarje ku do të jetë pjesëmarrës.
Nga ora 13:00 do të jetë në Konferencën për Rininë 2022, “Drejt një politike kombëtare” të organizuar nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit.
Po në Prizren, kreu qeveritar do të prezantojnë Buxhetin për vitin 2023 para qytetarëve të kësaj komune derisa pasdite nga ora 18: 00 do të kthehet në kryeministri për të pritur në takim Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Republikë së Italisë, Antonio Tajani dhe Ministrin e Mbrojtjes të Republikës së Italisë, Guido Crosetto.























