Kongresi i Manastirit njehsoi alfabetin për shkrimin e gjuhës shqipe
Kulturë

Kongresi i Manastirit njehsoi alfabetin për shkrimin e gjuhës shqipe

atsh

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme përkujtoi sot Kongresin e Manastirit.

MEPJ theksoi se, më 22 nëntor 1908, mbylli punimet Kongresi i Manastirit apo siç njihet ndryshe Kongresi i Abetares.

Ky kongres, nënvizon MEPJ, vlerësohet me të drejtë si kuvendi më i rëndësishëm kombëtar në historinë politike e kulturore të shqiptarëve në fillim të shekullit XX.

Kongresi i Manastirit, ku u unifikua alfabeti i gjuhës shqipe, u mblodh 114 vjet më parë.

Në këtë Kongres u zhvillua mbledhja e Komisionit për Çështjen e Alfabetit, ku morën pjesë intelektualë shqiptarë të kohës.

Synimi i mbledhjes ishte arritja e njehsimit të alfabetit që do të përdorej për shkrimin e gjuhës shqipe. Kongresi i zhvilloi punimet deri më 22 nëntor 1908, datë kur në të gjitha trevat shqipfolëse kujtohet “Dita e Alfabetit”.

Në këtë kongres ishin të pranishëm 150 delegatë, të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, si dhe nga komunitetet shqiptare në Rumani, Itali, Greqi, Turqi, Egjipt, Amerikë, etj. Kryetar i Kongresit u zgjodh Mit’hat Frashëri, i biri i Abdyl Frashërit. Mit’hat Frashëri ishte në atë kohë redaktor i dy revistave që botoheshin në Selanik: “Liria” dhe “Dituria”.

Në këtë Kongres merrnin pjesë shqiptarë të të gjitha komuniteteve fetare si, myslimanë, katolikë, ortodoksë, protestantë, njerëz të ditur, të bashkuar për një qëllim të madh kombëtar.

Gjithashtu, u vendos që pas dy vjetësh të mbahej një kongres i dytë, në Janinë, për të shqyrtuar problemet drejtshkrimore e letrare, si dhe për të bërë përpjekje për shkrirjen e dialekteve gegë dhe toskë në një gjuhë të njehsuar shqipe.

Kongresi vendosi ngritjen e Shtypshkronjës Shqipe në Manastir, nën drejtimin e Gjergj Qiriazit, e cila u bë shpejt e njohur anembanë vendit si shpërndarëse e librave dhe gazetave shqipe.


MË SHUME NGA Kulturë