Hoti i quan farsë takimet publike të Qeverisë për buxhetin e vitit 2023
RTK
Ish-kryeministri dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, i ka quajtur farsë takimet publike për buxhetin e vitit 2023.
Ai në një postim në rrjetin social Facebook ka shkruar se konsultime do të duhej të mbaheshin me kryetarët e Komunave për nevojat e tyre, të cilëve Qeveria po tenton t'ua marrë buxhetin nga të hyrat vetanake të viteve paraprake.
Sipas Hotit, para përgatitjes së buxhetit do të duhej të bisedohej me organizata buxhetore, të cilat për shkak të shkurtimeve buxhetore nuk kanë mundësi të ofrojnë shërbimet për të cilat janë të mandatuar, siç është rasti i RTK-së apo i universiteteve publike.
“ Si do të arsyetohet Kurti para qytetarëve për afër 700 milionë euro që i mban në bankë pa nevojë, e nuk i rrit pagat e policëve, të mjekëve, të arsimtarëve, të shërbyesve civilë. Si do të arsyetohet Ministri i Financa për 276 mil euro apo 9% e buxhetit total për 2023, të cilën shumë e mban të pashpërndarë në projekte, që është sa dyfishi i buxhetit të Ministrisë së Mbrojtjes?!. Si do të arsyetohen qeveritarët që sivjet nuk i realizuan projektet kapitale – as projektet në vazhdim e as të rejat që ishin projekte që vetë i planifikuan?!”, ka shkruar ndër të tjera Hoti.























