Rakiq: Lista Serbe dëshiron vetëm paqe në Kosovë
E.H/RTKLive.com
Pas takimit që kanë zhvilluar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministren Ana Brnabiq, përfaqësuesit e Listës Serbe në veri kanë mbajtur një konferencë për media, duke kërkuar “paqe”.
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, tha se po kërkon nga Qeveria e Kosovës që të mos nxisë tensione dhe të mos përdorë forcën në veri.
Rakiq tha se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është rezultat i marrëveshjeve ndërkombëtare, dhe se serbët nga Kosova po kërkojnë vetëm që marrëveshjet e nënshkruara të zbatohen, ashtu siç është rënë dakord në Bruksel.
"Ne duam të jetojmë të qetë dhe vetëm", tha Rakiq.
Në konferencë për media, përveç kryetarëve të komunave në veri - Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan - që dhanë dorëheqje në fillim të muajit, ishte i pranishëm edhe Ivan Todosijeviq, zyrtar i Listës Serbe dhe ish-deputet i Kuvendit të Kosovës. Ky i fundit më 19 nëntor u dënua me një vit burgim pasi kishte mohuar masakrën e Reçakut.
Rakiq, ndërkaq në konferencën e sotme paralajmëroi protesta në shumë institucione.























