Franca i kërkon Kosovës ta pranojë propozimin e Borrellit për targat
RTK
Pas dështimit të arritjes së marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, ka reaguar edhe ambasadori francez në Kosovë, Olivier Guerot.
Ai tha se vendi i tij shpreh keqardhje që nuk u arrit një marrëveshje, duke i bërë thirrje palëve, veçanërisht Kosovës, të pranojnë propozimin e përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell për kompromis.
“Franca shpreh keqardhje për mungesën e një marrëveshjeje ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Ajo i bashkohet thirrjeve të Bashkimit Evropian për të shmangur çdo veprim të njëanshëm që mund të nxisë tensionet. Ai u kërkon të dyja palëve dhe në veçanti Kosovës të pranojnë propozimin e kompromisit të formuluar nga Bashkimi Evropian”, ka shkruar ai në Twitter.
Po ashtu, ai ka thënë se Franca mbështet plotësisht ndërmjetësimin e BE-së, por tha se ajo duhet ta bëjë të mundur përparimin drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe për të ecur përpara drejt një perspektive evropiane të të dyja vendeve.























