Policia e Kosovës krijon siguri për protestat në veri
BKT
FotoArkiv/RTKlive
Lajme

Policia e Kosovës krijon siguri për protestat në veri

M.Shefkiu/RTKLive

Pas paralajmërimeve të Listës Serbe se do të organizoj protesta në komunat veriore, ka reaguar Policia e Kosovës, e cila ka garantuar mbarëvajtje për protesta të qeta e demokratike. Nëpërmjet një komunikate për media, policia thotë se sipas detyrës zyrtare dhe autorizimeve ligjore, në vazhdimësi po angazhohet në ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike.

Sipas të njëjtit njoftim, policia do të ndërmarrë masa policore konform situatës dhe zhvillimeve në gjithë vendin, përfshirë zhvillimet në veri të Mitrovicës.

“Bazuar në informacionet dhe paralajmërimet për mbajtjen e protestave-tubimeve për sot, në disa komuna me komunitet serb, Policia e Kosovës, duke njohur të drejtën për tubime publike përmes protestës paqësore, sipas detyrës zyrtare ka bërë planifikimet e saja operacionale. Plani parasheh ndërmarrjen e masave operative policore, për t’u siguruar se mbarëvajtja e protestave të kalojë e qetë dhe pa incidente, mbajtjen e rendit dhe sigurisë publike si dhe mbrojtjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Si çdo herë, Policia e Kosovës, fton qytetarët që të protestojnë në mënyrë të qetë dhe të mos bien pre e provokimeve të mundshme, të çfarëdo natyre qofshin ato.


MË SHUME NGA Lajme