Një vit shtyrje të vendimit për targa, kërkon ambasadori Christopher Hill
Foto: politiko
Lajme

Një vit shtyrje të vendimit për targa, kërkon ambasadori Christopher Hill

Anamari Repiq/RTK/Beograd

Para skadimit të afatit të ri prej 48 orësh, të fillimit të shqiptimit të gjobave,ndaj qytetarëve të Kosovës që nuk i kanë ri-regjistruar veturat me targa RKS, ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka porositur se kjo çështje duhet te shtyhet.

“Unë mendoj se çështja e targave duhet të shtyhet të paktën për një vit dhe dialogu t'i kushtohet zgjidhjes së çështjeve të rëndësishme”, tha ambasadori Hill.

“Ne kemi nevojë për një rajon që do të qetësohet”, tha ambasadori amerikan, duke theksuar nevojën për zgjidhje afatgjate.

“Duhët një përspektivë për të ardhmën e serbëve që jetojnë në Kosovë, e njerëzit duhet të dinë se si do të jetë jeta e tyre”, u shpreh Hill.

“Në të njëjtën kohë, Kosova duhet të ketë perspektivën e saj të pozitës ndërkombëtare”.

Këto komente, diplomati amerikan i bëri duke folur per media në një ngjarje në Institutin e Gjenetikës ne Beograd.

Nderkaq, sipas vlersimeve të përfaqësuesve politikë në Serbi, bisedimet duhet të vazhdojnë derisa të gjendet zgjidhje kompromisi.

“Vendosja e gjobave është një akt i papranueshëm, i cili, siç e shohim, është shtyrë për momentin, dhe kjo do të thotë se duhet një zgjidhje sistematike, të cilën nuk e kemi”, thotë Borko Stefanoviq, ish kryenegociator i Serbisë.

“Por kemi një shenjë se SHBA-ja ka një rol vendimtar për të bindur palën kosovare të jetë konstruktive”, tha Stefanoviq.

Sidoqoftë, në Serbi vlerësohet se ka pasur një progres sa i përket problemit të targave kur pas takimit me kryeministrin Kurti në Bruksel, presidenti Vuçiq deklaroi se Serbia nuk do të lëshojë më targa KM, sepse ishte një kërkesë nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-se, Josep Borrell. 

 


MË SHUME NGA Lajme