REAGIME|Osmani: Për marrëveshjen, falënderim i veçantë për Hovenier e SHBA
Lajme

REAGIME|Osmani: Për marrëveshjen, falënderim i veçantë për Hovenier e SHBA

Jeton Musliu/RTKlive

(Plotësuar) Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka falënderuar Ambasadën amerikane në Kosovë për angazhimin e saj në arritjen e marrëveshjes për targat ilegale serbe.

“Mbështetja e saj për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është kyçe”, shkroi Osmani.

Ajo falënderoi në mënyrë të veçantë ambasadorin amerikan Jeff Hovenier dhe SHBA-në për përfshirjen e tyre aktive në arritjen e  marrëveshjes në Bruksel.

“Kosova është mirënjohëse”, ka shkruar ajo në një postim në Twitter.

Kosova e Serbia me ndërmjetësimin e BE-së, të mërkurën në mbrëmje arritën marrëveshje për targat ilegale të Serbisë në Kosovë. Njoftimin e bëri të ditur fillimisht Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, Josep Borrell.

Por në këtë marrëveshje parashikohet që palët të fillojnë menjëherë bisedimet për planin franko-gjerman, i prezantuar më vonë si plan i BE-së, për arritje të një marrëveshje gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi.

Sipas një deklarimi të kryeministrit Albin Kurti, plani parashikon që gjithçka të përmbyllet deri në mars të vitit 2023.

Abdixhiku: Qeveria bëri dramë të panevojshme për targat

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ndaj marrëveshjes së arritur mes Kosovës e Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së, për cështjen e targave ilegale serbe.

Ai deklaron se Lidhja Demokratike e Kosovës e vlerëson dakordimin e mbrëmshëm, të arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së dhe më mbështetjen e ShBA-ve.

“Siç edhe kemi theksuar në vazhdimësi, rruga e vetme që garanton suksesin e Kosovës është bashkërendimi i ngushtë dhe i përhershëm me partnerët strategjikë, në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shkruan Abdixhiku, sipas të cilit, “për Kosovën dhe të ardhmen euroatlantike të saj, stabiliteti politik dhe siguria janë parakushte esenciale, ndërsa bashkëpunimi i përgjegjshëm ndërkombëtar garanton shtyrjen përpara të interesave nacionale të Republikës së Kosovës”.

Duke rikujtuar se LDK-ja e ka parë si tërësisht të panevojshme dhe të dëmshme gjithë dramën, që sipas tij, ishte  populiste, të krijuar nga institucionet kryesore të vendit gjatë ditëve dhe javëve të fundit, Abdixhiku thekson se kthimi dhe pranimi i marrëveshjes së njëjtë, pas gjithë dramës së shkaktuar, tregon joseriozitetin e drejtuesve aktualë të shtetit në përballje me përgjegjësitë e larta shtetërore.

“Kjo sjellje, përveç se ka lënduar marrëdhëniet e Kosovës me institucionet ndërkombëtare dhe shtetet mike, për të cilat Kosova ka nevojë, ka bllokuar dhe proceset kryesore integruese të vendit”, deklaron kreu i kësaj partie opozitare në vend.

“LDK-ja u bën thirrje institucioneve të vendit që të jenë transparente për procesin e dialogut politik, nëpërmjet raportimit në Kuvend përpara përfaqësuesve të zgjedhur”.

Abdixhiku shkruan se deklarimet e fundit të kryeministrit, përveç se kontradiktore, janë edhe tepër të paqarta, së këndejmi, ato krijojnë pasiguri në lidhje me drejtimin e këtij procesi jetik për Kosovën.

Kosova e Serbia me ndërmjetësimin e BE-së, të mërkurën në mbrëmje arritën marrëveshje për targat ilegale të Serbisë në Kosovë. Njoftimin e bëri të ditur fillimisht Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, Josep Borrell.

Por në këtë marrëveshje parashikohet që palët të fillojnë menjëherë bisedimet për planin franko-gjerman, i prezantuar më vonë si plan i BE-së, për arritje të një marrëveshje gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi.

Sipas një deklarimi të kryeministrit Albin Kurti, plani parashikon që gjithçka të përmbyllet deri në mars të vitit 2023.

Tahiri: Marrëveshja për targa nuk ka afat zbatimi

Edita Tahiri, ish kryenegociatore dhe ish Zëvendëskryeministre e Kosovës, ka reaguar lidhur me marrëveshjen për targat të arritur në Bruksel mes Kosovës e Serbisë, për çështjen e targave.

“Marrëveshja për targa u arrit, Kurti lëshoi pe, tash nuk dihet edhe sa kohë do të qarkullojnë targat ilegale në veri të vendit, meqë nuk ka afat marrëveshja”, shkroi Tahiri në llogarinë e saj në Facebook.

Sipas Tahirit, sikur të dëgjohej Amerika, afati do të ishte për 10 muaj.

“Prapë nuk u bë publike marrëveshja, nuk i dimë edhe çfarë kompromise tjera ka bërë Kurti si në të kaluarën”, shkroi ajo.

“Por një gjë e dimë, Kurti as Qeveria e tij nuk guxon të bëjë marrëveshje pa njohje reciproke me Serbinë”, shkroi Tahiri, duke shtuar se “nëse lëshon pe përballë do ta gjejë popullin e Kosovës, të cilin e njoh mire sepse është popull shembullor që di të mbrojë interesat kombëtare!”.

Kosova e Serbia me ndërmjetësimin e BE-së, të mërkurën në mbrëmje arritën marrëveshje për targat ilegale të Serbisë në Kosovë. Njoftimin e bëri të ditur fillimisht Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, Josep Borrell.

Por në këtë marrëveshje parashikohet që palët të fillojnë menjëherë bisedimet për planin franko-gjerman, i prezantuar më vonë si plan i BE-së, për arritje të një marrëveshje gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi.

Sipas një deklarimi të kryeministrit Albin Kurti, plani parashikon që gjithçka të përmbyllet deri në mars të vitit 2023.

 

 


MË SHUME NGA Lajme