Përlaskaj: Të vërtetat për luftën në Kosovë të prezantohen edhe në Beograd
Hyrë Tejeci Murati/Radio Kosova
Kulturë

Përlaskaj: Të vërtetat për luftën në Kosovë të prezantohen edhe në Beograd

Hyrë Tejeci Murati/Radio Kosova

Në kuadër të shënimit të Ditëve të Kulturës në Zagreb, Bashkësia Shqiptare e qytetit dhe të prefekturës së Zagrebit, si dhe Ambasada e Kosovës në Zagreb, organizuan përurimin e një libri dhe një dokumentari që tregon lidhjet e shqiptarëve të Kosovës, më saktë të rajonit të Pejës me shtetasit malazezë për pritjen që ata iu kanë bërë gjatë luftës së Kosovës.

Në Zagreb, në një takim mes miqësh e diplomatësh të ndryshëm, Kimete Sopa nga Suhareka tregoi rrëfimin e saj për përjetiumet e luftës në Kosovë.

“Rreth 2000 ushtarë kanë qenë aty, unë kam ecë përmes tyre. I kam pasur dy fëmijët e vegjël, Gentin dhe Canin. Në setrën që e kam pasur veshur i kisha fshehur pak rroba dhe barna për fëmijë. Më kanë ndalë dhe me kanë kontrolluar, na kanë mbyllur në një shtëpi mbi 100 vetë, na kanë pyetur ku i keni burrat, burri im ka qenë në luftë, axhën e burrit e pushkatuan aty…Na kanë shtri për toke, thojshin a t’i djegim a çka t’iu bëjmë…E kam mbuluar Gentin dhe Canin me trup timin dhe kam pritur kur të më nxehet trupi nga plumbat. Por deshti zoti dhe dolën…”

Kështu ajo dhe të gjithë shqiptarët nuk e harrojnë asnjëherë asnjë përjetim të luftës, por as edhe mirënjohjen e thellë për të gjithë ata që kanë strehuar shqiptarët kudo.

Kjo burrëri dhe besë është botuar në librin me të njëjtin titull të gazetarit malazez Velibor Ҫoviç, i cili përuroi librin almanak të tij në Zagreb dhe solli një dokumentar me titull “Unë atëherë kisha 10 vjet”, një histori të refugjatëve shqiptarë në Mal të Zi dhe pritjes e raporteve që kanë edhe sot shqiptarët e dëbuar me qytetarët malazez që i kanë strehuar.

Bashkësia Shqiptare e qytetit të Zagrebit dhe të prefekturës së Zagrebit dhe Ambasada e Kosovës në Zagreb, organizuan përurimin e almanakut “Burrëria dhe Besa”, i autorit Velibor Ҫoviç dhe të dokumenatrit. Gazetari Velibor Ҫoviç, sjell në këtë libër alamanak rrëfime të shqiptarëve të Pejës dhe të rajonit të saj, kur janë dëbuar nga Kosova dhe janë zhvendosur në Rozhajë të Malit të Zi, si refugjatë më 1999.

Dokumentari vë në pah lidhjet miqësore që janë krijuar mes shqiptarëve dhe qytetarëve malazezë kur kanë hapur dyert për të strehuar shqiptarët e dëbuar. Pastaj, komunikimet që vazhdojnë të ruajnë edhe mbi 20 vjet pas luftës.

Më 1999 Velibor Ҫovic tha se ishte kryerdeaktor i Televizionit të Malit të Zi dhe në këtë dokumentim ai ka sjellë rolin e medias gjatë luftës së Kosovës më 1999.

“Gazetarët e mi kanë qëndruar në zonat kufitare me Kosovën dhe kanë filmuar pamje e kanë intervistuar shqiptarë të dëbuar dhe ata kanë siguruar rrëfime autentike të tyre”, tha Velibor Ҫovic.

Nga arkiva e këtij televizoni ishin nxjerrë ato pamje dhe dëshmi dhe kështu ai ka punuar këtë dokumentar dhe librin me fotografi me titull Burrëria dhe Besa. Burrëria që ka një kuptim të pritjes dhe të respektimit të përjetëshëm për ata që kanë hapur dyert për shqiptarët e dëbuar, dhe Besa një premtim i dhënë që nuk do të thehet fjala e asnjërës palë, sikur ata që kanë marrë nën mbrojtje, por edhe shqiptarët që kanë mbajtur premtimin se do të mbajnë lidhjet mes vete.

Dokumentari ishte një realizim dhe bashkëpunim edhe me RTK.

Xhemali Nikaj tha se një vit e gjysmë kishin pritur shqiptarët e Kosovës në Malësi. Ai atë kohë ishte udhëheqës i Shtabit për pranimin e refugjatëve shqiptarë në rajonin e Tuzit.

“Ato lotë të atyre fëmijëve, ato lotë të atyre nanave, atyre nanave që nëpër shi dhe borë, nëpër erë të ftohtë, nëpër plumba të armëve, kishin shkyer rrugë e kishin kaluar kufijë për të shpëtuar foshnjët e fëmijët e vegjël, të atyre që janë sot të rritur, janë profesorë, ingjinierë, janë doktorë. 100 mijë refugjatë të ndjekur nga Kosova patën fat që gjetën strehim në Mal të Zi. Pra, populli malazez, qeveria institucionet vepruan sipas asaj që thuhet në popull “hapja derën kush ikë, e mbyllja derën atij që bën”. Ne shqiptarët kemi përjetuar shumë gjatë historisë, e sidomos në 100 vjetorin e fundit. Ne nuk i harrojmë por jemi shumë të gatshëm të mbajmë mend të mirën të atyre që na kanë shtrirë dorën, të na ndihmojnë e të na mbrojnë në një moment kur ishte rrezik të shfarosej një popull i tërë. Pra populli shqiptar nga Kosova vetëm me vetëm se ishin shqiptarë, se donin të jetonin të lirë, si gjithë të tjerët. Faleminderit gjithë atyre që bënë për Kosovën, kushdo qoftë”, tha Xhemali Nikaj.

Deputetja shqiptare në Parlamentin e Kroacisë, Ermina Lekaj Prlaskaj tha se dokumentarë të tillë duhet të publikohen edhe në vende të tjera të ish Jugosllavisë, edhe në Beograd, që të shihet e vërteta për Kosovë.

 

Ajo që mua më fascinoi në këtë film dokumentar, është fakti se me të vërtetë kemi njerëz të mirë. E ne shqiptarët nuk harrojmë të mirat që kemi përjetuar dhe në emër të shqiptarëve tanë po i them edhe njëherë një Faleminderit të madhe. Ato që pamë në këtë film ishin pamje të vërteta dhe për shqiptarët tanë këto pamje janë shumë të njohura. Shpresoj se ky film të prezantohet jo vetëm këtu në Zagreb, por edhe në qytete të tjera të ish Jugosllavisë, të prezantohet edhe në Beograd, të shohin edhe ata të vërtetat që kanë ndodhur”, tha deputetja Përlaskaj.   

Ambasadori i Kosovës në Zagreb Martin Berisha shprehu mirënjohje për të gjithë ata që kanë pritur e strehuar shqiptarët në kohët më të vështira që kanë kaluar. Ai i falenderoi edhe gazetarin  Velibor Ҫoviç për punë  që kanë bërë dhe dokumentimin e fakteve, të cilat janë ruajtur në arkivin e Televizionit të Malit të Zi.

Në këtë përurim ishin edhe diplomatë e mysafirë të tjerë, të ftuar nga Ambasada e Kosovës dhe Bashkësia shqiptare e Zagrebit dhe Prefekturës së Zagrebit.

Aktivitetet për Ditët e Kulturës në Zagreb po vazhdojnë. Ndërsa më 28 nëntor, në Ditën e Flamurit do të përurohet edhe shtatorja e Nënë Terezës në qytetin e Bjellovarit, ku gjithashtu jetojnë shumë shqiptarë.

 

 


MË SHUME NGA Kulturë