Vuçiq: Marrëveshja për targa, është një fitore e vogël taktike
Lajme

Vuçiq: Marrëveshja për targa, është një fitore e vogël taktike

Jeton Musliu/RTKlive

Marrëveshjen për targa të arritur në Bruksel, mes Kosovës dhe Serbisë, e ka komentuar sot edhe presidenti i Serbisë. Aleksandar Vuçiq.

Këtë marrëveshje, Vuçiq e konsideron më të favorshme për Serbinë.

 “Dakordimi thotë qartë se duhet respektuar gjitha marrëveshjet e arritura më parë”, deklaroi presidenti serb. “Kjo është gjë e rëndësishme për ne, njerëzit tanë nuk do të keqtrajtohen”.

Me këtë marrëveshje, u synua të ulen tensionet, e ku Kosova do të ndalojë fazat zbatimit të vendimit për targa, ndërsa Serbia nuk do të lëshojë targa me akronime të qyteteve të Kosovës.

“Targat KM mbeten dhe mbijetojnë, pasi të tjerat më emërtime të qyteteve dhe komunave të Kosovës de fakto nuk ekzistojnë, veçanërisht në jug të Ibrit”, theksoi Vuçiq, sipas të cilit, “qytetarët  që kanë targa KM, rreth 7 mijë në Kosovë, mund të vazhdojnë t’i drejtojnë veturat e tyre pa shqetësime e gjobitje”.

“Kjo është një fitore e vogël taktike që mund të na çojë në një situatë dhe presim edhe më të madhe. Na presin kohë të vështira”, tha Vuçiq, raportojnë mediat serbe, transmrton RTKlive.

Vuçiq lavdëroi përfaqësuesit evropianë dhe amerikanë për të cilët u shpreh se janë treguar racionalë, duke nënvizuar se serbët kanë treguar qartë çfarë duan.

“Të formohet Asociacioni”, tha Vuçiq. “Ja ku themi, nuk e lejojmë Kosovën në  OKB, dhe çfarë do të na bëni, na bombardoni, të na kërcënoni me sanksione, në bazë të cilit akt apo marrëveshje?”, peti Vuçiq.

Ai foli edhe për miratimin e rekomandimeve të Parlamentit Evropian, në të cilat i janë vendosur kushte Serbisë për të përparuar në rrugën evropiane dhe po ashtu për fonde të BE-së.

Një prej tyre është kushti është që Serbia t’i vendosë sanksione Rusisë.

Megjithatë, Vuçiq tha se në rekomandimet e Parlamentit Evropian thuhet se duhet njohur pavarësia e Kosovës.

“Rekomandimet e Parlamentit Evropian thonë se duhet ta njohim pavarësinë e Kosovës, por e fshehën atë”.

Sipas Vuçiqit, Parlamenti Evropian po kërkon njohje të ndërsjellë.

“Edhe nëse i vendosim sanksione Rusisë, ata do të thoshin se është mirë kjo që bëre, por nesër do të dilnin me një rezolutë të re. Unë kam mjaft përvojë, jam veteran politik. Kam folur mbrëmë me Brukselin 50 herë, veçanërisht për rekomandimet e tyre", tha ai.

"Nuk jam i interesuar për njohje të ndërsjellë me Prishtinën. Do të vazhdojmë të dëgjojmë gjithçka që ata thonë, por vendimet i marrim në interes të vendit tonë". 

 


MË SHUME NGA Lajme