Abbott: Tani serbët duhet t’i shohim në institucione
Foto: RTKlive
Lajme

Abbott: Tani serbët duhet t’i shohim në institucione

Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive

Një ditë pasi Kosova e Serbia arritën marrëveshje për targat, Britania e Madhe dëshiron t’i shoh serbët të kthehen në institucione.

Këtë e ka thënë ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott sipas të cilit kjo do të ishte në interes të vendeve të punës, familjeve të tyre e sundimit të ligjit.

“Tani duhet të shohim që serbët e Kosovës të kthehen në institucione, në interes të vendeve të punës, familjeve të tyre dhe sundimit të ligjit”, ka shkruar Abbott  i cili njëherësh ka përshëndetur marrëveshjen e arritur të mërkurën para mesnate për çështjen e targave.

 “Unë mirëpres një marrëveshje të rëndësishme që largon një burim tensioni dhe përgëzoj të gjitha palët për kompromisin që kanë treguar. Marrëveshja për targat do të jetë veçanërisht një lehtësim për ata në veri të Republikës së Kosovës”, ka shkruar ambasadori britanik.

Por, një ditë më parë derisa e njoftoi kabinetin qeveritar për takimin e nivelit të lartë në Bruksel, kryeministri Kurti tha se kthimi në institucione i zyrtarëve publik e shtetëror nuk është çështje pazaresh, por çështje e sundimit të ligjit.

“Ju e patë që deputetët e Listës Serbe dolën nga institucionet e Kosovës dhe të tjerë prej tyre u kthyen dhe bënë betimin. Kjo është mënyra si kthehesh në institucione, duke bërë betimin, duke respektuar kushtetutën, kushtetutshmërinë, ligjin, ligjshmërinë, rregullat e procedurat”.

Kreu qeveritar tha se Kosova nuk është shtet diktatorial që vendos se kush, kur shkon e kush, kur kthehet. “Shteti ynë ka kushtetutë, ligj, procedura organe e institucione të cilat e mundësojnë këtë”.

Serbët dorëzuan dorëheqjet në nivel qendror e lokal si shenjë proteste ndaj vendimit të institucioneve të Kosovës për ta suspenduar Drejtorin e Policisë për veriun, Nenad Gjuriq i cili doli kundër vendimit qeveritar të 28 tetorit për masat e shkallëzuara për ata që bartin targa ilegale.

Presidenti i Serbisë e ka kushtëzuar kthimin e serbëve me krijimin e Asociacionit. Gjatë ditës ai tha se me arritjen e marrëveshjes për targat u arrit kushti i parë, ndërsa i dyti mbetet formimi i Asociacionit.


A.R Katana
Kosovo Telecom
Golden Eagle

MË SHUME NGA Lajme