Pupovci: E kam planifikuar të tërhiqem, këtë e dinë Kurti e Nagavci
Foto: RTKlive
Lajme

Pupovci: E kam planifikuar të tërhiqem, këtë e dinë Kurti e Nagavci

Fadil Sertolli/RTKlive

(E plotësuar) Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci ka konfirmuar për RTKlive planifikimin e tij për t’u tërhequr nga kjo pozitë. E këtë, thotë ai, ua ka bërë të ditur qysh nga tetori edhe kryeministrit Kurti edhe ministres Nagavci. Megjithatë, ai ka treguar se ende nuk e ka dorëzuar dorëheqjen formale. Ka thënë se këtë do ta bëjë në kohën e duhur, kur t’i përfundojë edhe disa punë.

Pupovci ka thënë për RTKlive se arsyet e largimit nga aty janë personale, por shtoi se edhe pasi të jetë larguar nga posti i zëvendësministrit, do të mbetet aktiv në fushën e arsimit.

“Është e vërtetë se kam planifikuar që deri në fund të vitit 2022 të tërhiqem nga posti i zëvendësministrit të MASHTI-t dhe këtë ia kam komunikuar ministres Nagavci dhe kryeministrit Kurti në tetor. Arsyet janë të natyrës personale. Për korrektësi, dorëheqjen formale nuk e kam paraqitur akoma, por këtë do ta bëj në kohën e duhur, kur t’i përfundoj edhe disa punë që i kam filluar dhe në koordinim me ministren e kryeministrin. Edhe pasi të jem larguar nga posti i tanishëm do të mbetem aktiv në fushën e arsimit”, ka thënë për RTKlive zëvendësministri, Dukagjin Pupovci.

Jep dorëheqje zëvendësministri i arsimit, Dukagjin Pupovci

Jeton Musliu/ RTKlive
Zëvendësministri Dukagjin Pupovci ka dhënë dorëheqje nga pozita si i dyti i ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë e Inovacionit. Dorëheqja është dorëzuar tashmë në kabinetin qeveritar, por deri më tash nuk është bërë publike.

Siç merret vesh, Pupovci dorëheqjen e kishte dorëzuar rreth një muaj më parë.

Burimet e RTKlive sqarojnë se kjo nuk është bërë publike, me kërkesë të Pupovcit, me qëllim të përfundimit të disa proceseve teknike nga ana e tij, në mënyrë që të mos mbesin përgjysmë dhe të mos dëmtohen.

RTKlive ka provuar ta ketë një qëndrim nga vetë zëvendësministri Pupovci, por kontakti me të ka qenë i pamundur për shkak që telefoni i tij ishte i fikur.


MË SHUME NGA Lajme