Ekspertët: Qeveria duhet ta ketë prioritet zhvillimin e TIK-ut
FOTO/ RTKlive
Lajme

Ekspertët: Qeveria duhet ta ketë prioritet zhvillimin e TIK-ut

Majlinda Doda/ Radio Kosova

Kosova ka potencial që fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) ta shndërrojë në një resurs të zhvillimit ekonomik për vend. Ekspertë të TIK-ut thonë se qeveria duhet ta ketë prioritet zhvillimin e kësaj fushe, nëpërmjet avancimit të ekonomisë digjitale dhe kapitalit njerëzor.

Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit (TIK) në Kosovë ka përjetuar një zhvillim të jashtëzakonshëm që nga viti 1999.

Në programin e Qeverisë së Kosovës  për vitin 2021-2025 parashihet  zhvillimi i infrastrukturës dhe kapaciteteve të TIK-ut, si  potencial për zhvillim ekonomik, nëpërmjet avancimit të ekonomisë digjitale dhe kapitalit njerëzor.

Ermal Sadiku, ekspert në fushën e Teknologjisë Informative, thotë se investimet në këtë fushë nuk janë me prioritet, ndonëse ato do të duhej të ishin. Sipas tij, mungesa e buxhetit, mungesa e strategjisë dhe disa faktorë të tjerë tregojnë se TIK-u nuk është prioritet shtetëror.

“Nuk është që ka qenë ndonjëherë por të paktën ka pasur investime në IT në Kosovë. Tash një pjesë e madhe e IT janë dalë. Edukimi në Universitetin Publik nuk është që  i ka rrit kapacitetet. Kolegjet private nuk është që kanë hapur diçka të re. Sektori publik është duke hapur akademi të ndryshme të vogla, për shkak të mungesës së madhe të financave, që me shty këtë proces. Por megjithatë nëse ne krahasohemi me vendet e tjera të Evropës, jemi shumë mbrapa, e çfarë është me e keqja është se ne po mbesim edhe mbrapa shumë vendeve  të rajonit”, tha ai.

Kosova ka popullsinë më të re në Evropë, me njohuri të avancuara në Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit. Sadiku thotë se kjo duhet të shfrytëzohet si përparësi, për shfrytëzimin e resurseve njerëzore.

“Një i ri në Kosovë, nëse hyn në këtë industri ai do të paguhet brenda një kohë shumë të shkurtër 4-5 herë mbi rrogën mesatare të Kosovës. Në Kosovë jo vetëm që është përfituese financiarisht si profesion, por edhe të jepet mundësia të punosh në projekte të ndryshme në botë, si Google, Facebook, Microsoft etj”, tha ai.

Shpend Lila, nga Qendra Inovative e Kosovës, mendon që sot Prishtina është shndërruar në një qendër për Teknologji Informative.  

“Prishtina, Kosova mendoj që janë një start-up hub, për vendet e Ballkanit dhe qëndrojmë mirë në këtë fushë. Ne jemi vend i vogël dhe mundësi e jona e vetme, duke marrë parasysh talentin e madh që kemi te të rinjtë TIK, shihet si një prej sektorëve me potencial të zhvillimit më të madh dhe është sektori me rritjen më të madhe në vend. Është sektori i vetëm me bilanc pozitiv në eksport. Pra, Kosova më shumë eksporton sesa importon shërbime të TIK”, tha ai.

Agjencia e Statistikave të Kosovës thotë se depërtimi i internetit në Kosovë është 93 për qind, një nga më të lartat në Evropë, ndërsa të njëjtat rezultate reflektohen edhe në mostrën përfaqësuese të realizuar nga Shoqata për Teknologji të Informacionit dhe të Komunikimit të Kosovës (STIKK) që zbuloi se 96 për qind e familjeve kosovare janë të lidhura në internet.


A.R Katana
Kosovo Telecom
Golden Eagle

MË SHUME NGA Lajme