Teatri nën trysninë e zhvillimeve të kohës
RTKlive
Është mbajtur edicioni i pestë i Konferencës Teatrore, të organizuar nga Cult Club, me temën ‘Teatri dhe kritika teatrore-kriza e vlerësimit’.
Në këtë edicion, ishin të ftuar personalitete të njohura të teatrit, nga të gjitha trevat shqipfolëse, duke nisur nga dramaturgët, studiuesit dhe profesorët, Nebi Islami, Luljeta Isaku, Stefan Çapaliku, Arian Krasniqi, Besim Rexhaj e Albatros Rexhaj, si dhe aktorja Albulena Kryeziu.
Prezent ishte edhe sekretari i MKRS-së, Feim Hoxhaj, i cili theksoi faktin që rezultatet që dalin nga konferenca, merren si rekomandim nga ministria, për përmirësimin e jetës teatrale në Kosovë. Ai potencoi se mbështetja e MKRS-së do të vazhdojë për projekte të tilla serioze.
Drejtoresha e kësaj konference, e vetmja e këtij lloji në Kosovë, regjisorja dhe profesoresha, Elmaze Nura, tha se teatrit i duhet një vlerësim profesional që u shërben edhe artistëve.
Në këtë konferencë, u fol se sa ka sot kritikë teatrore dhe pse ka ardhur deri te kriza e vlerësimit, duke numëruar kështu shkaqet dhe pasojat, duke gërshetuar edhe historinë e teatrit, që nga Evropa e Amerika dhe asaj shqiptare.
Një nga shkaqet për këtë krizë vlerësimi, sipas dramaturgut Nebi Islami, është oportunizmi mes krikëve.
Po ashtu, edhe evolimi i teknologjisë dhe inxhinierisë sociale, është një nga faktorët e krizës vlerësuese teatrale, duke pas parasysh se sot dominon më shumë antivlera, se sa vlera, të paktën kështu theksoi edhe Butrint Pasha, regjisor kosovar.
Në panelin e konferencës, ka folur edhe Stefan Çapaliku, dramaturgu nga Shqipëria, i cili tha se në rrafshin global, nuk ka shkrirje të kritikës teatrale dhe se mediet akoma i kushtojnë rëndësi kjo pjesë.
Po ashtu, Çapaliku rekomandoi hapjen e një fondi të përbashkët të dy ministrive të kulturës, asaj mes Kosovës dhe Shqipërisë, në mënyrë që të krijohet një revistë për kritikë, meqenëse, Kosova dhe Shqipëria kanë një gjuhë, rrjedhimisht dhe një teatër.
Krijimin e një reviste elektronike si mundësi të mirë e sheh edhe dramaturgu, Albatros Rexhaj, pasi, ai tha se jemi në kohën dixhitale dhe kritikat mes kolegëve të teatrit mund të jepen, qoftë edhe me komente në rrjetet sociale, siç janë Facebook, apo, Instagram, apo, edhe në portale, siç ndodh edhe në gazetat e njohura botërore.
Një tjetër çështje që u përmend, ka të bëj me faktin se si në trevat shqiptare, siç janë disa nga qytetet e Maqedonisë së Veriut, nuk kanë kulturë teatrale, pasi mungojnë teatrot, portalet dedikuar kulturës dhe emisionet televizive me përmbajte të tillë.
Këtë gjë e theksoi kritikja e historisë teatrale, Luljeta Isaku, që vjen nga zona e Maqedonisë së Veriut.
Për mungesë kulture dhe përmbajte me vepra teatrale foli edhe dramaturgu Besim Rexhaj, i cili tha se mediet po minimizojnë rëndësinë e botimit të kritikave teatrale, në vend të katër apo pesë, duke mos iu dhënë rëndësi, por, edhe theksoi faktin se në historinë shqiptare, janë diku 4-5 vepra në total të kësaj lëmie, duke bërë që kritika teatrale të jetë në prag të shuarjes.
Si rrjedhojë e kësaj, në fakultetet e artëve në trojet shqiptare, po theksohet si mungesë edhe lënda për kritikë teatrale.
Ndërsa, aktorja Albulena Kryeziu, shtroi disa pyetje sa i përket kritikës teatrale, duke pyetur se a është e nevojshme që një artist teatri të merr kritika, qofshin ato pozitive apo negative, sa përmbushet dhe përmirësohet nga kritikat e tilla, apo, kritika teatrale thjesht është një nostalgji.
Po ashtu, edhe profesori Arian Krasniqi, numëroi disa nga shkaqet se përse ka krizë në vlerësimin teatral, duke renditur këtu edhe mungesën e hapësirës mediale, karshi teatrit dhe kritikës.
Në fund të konferencës, regjisorja Elmaze Nura falënderoi të pranishmit për idetë e dhëna. Rekomandimet do t’i përcillen MKRS-së.
Kjo ngjarje është pjesë e Programit Vjetor të Cult Club, që mbështetet nga MKRS.