Internacionalja Socialiste në Spanjë, mbledhë 87 parti, mes tyre LVV
Jeton Musliu/RTKlive
Në Kongresin e 26-të të Internacionales Socialiste që mbahet përgjatë dy ditëve në Madrid të Spanjës, do të marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Megjithatë, pjesëmarrja e tij në këtë ngjarje e cila mbledh 87 parti politike nga shtete që vijnë nga disa kontinente, është në kapacitetin e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje.
Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se Kurti ka udhëtuar drejt Spanjës për të marrë pjesë në këtë ngjarje, e cila mbahet një herë në katër vjet e ku zgjedhën organet e reja drejtuese të saj.
Në këtë kongres, do të zgjedhën drejtuese të Internacionales Socialiste e ku Lëvizja Vetëvendosje ka statusin e pjesëmarrësit vëzhgues, bashkë edhe me parti të profilit të ngjashëm nga Kenia, Britania e Madhe, Lesoto, Irani, Irlanda, Serbia etj, raporton RTKlive.
Ndërkohë, anëtare me të drejta të plota në Internacionalen Socialiste janë Partia Socialiste e Shqipërisë si dhe parti me orientim të ngjashëm nga vende si Italia, Izraeli, Japonia, Pakistani, Portugalia, Bullgaria, Franca, Finlanda etj.
Kongresi i Internacionales Socialiste që mbahet nga 25 deri me 27 nëntor në Madrid, organizohet nga Partia Socialiste e Punëtorëve të Spanjës.
Kandidat për president të Internacionales Socialiste është Pedro Sanchez nga Spanja, për Sekretar Gjeneral të Internacionales Socialiste është Benedicta Lasi nga Gana, kurse për Zëvendës presidentë janë 36 kandidatë nga parti që vijnë nga Afrika, Amerika, Evropa e Lindja e Mesme dhe Azia.
Bazuar në agjendën e publikuar, Kongresi do të fillojë me fjalimin e hapjes nga ana e Sekretarit Gjeneral të Internacionales Socialiste, Luis Ayala, për të vazhduar me adresimin e Sekretarit Gjeneral që është edhe kryeministër i Spanjës, Pedro Sánchez, raporton RTKlive.
Pas tij, fjalim do të mbajë edhe Presidenti i Internacionales Socialiste, George Papandreou. Punimet do të vazhdojnë me shqyrtime të vendimeve për ndryshime në statut dhe aplikimet për anëtarësim.
Punimet e Kongresit të Internacionales Socialiste do të vazhdojnë edhe të shtunën deri në mesditë.























