U mbajt koncerti me titullin “1 piano, 2 zonja, 4 duar”
Dafina Smajli / RTK
Në Sallën e Amfiteatrit të Bibliotekës Qendrore të Universitetit të Prishtinës interpretuan dy pianistet tona Syzana Jakupi dhe Alba Muçolli në kuadër të Festivalit ndërkombëtar të muzikës ‘Kosova Kamer Fest’.
Koncerti mbajti titullin “ 1 piano, 2 zonja, 4 duar”. Në këtë mbrëmje u interpretuan vepra nga R. Schuman, F. Schubert, A.Dvorak dhe vepra e kompozitorit tonë Rauf Dhomi “ Panorama”.
Pianistja Syzana Jakupi, aktualisht ligjëruese në Fakultetin e Arteve në Pejë është shpërblyer me disa çmime dhe mirënjohje nga institucionet arsimore për punën e saj, teksa qyteti i saj i lindjes Peja i dha çmimin për vepër jetësore “Femra krijuese ndër vite”.
Alba Muçoll - Dehiri, po ashtu profesoreshë e lëndës së pianos në Universitetin “Haxhi Zeka” , Fakultetin e Arteve në Pejë, punoi si pedagoge e pianos për 15 vite në shkollën e muzikës “Prenk Jakova“ në Prishtinë, ku falë aktivitetit të saj pedagogjik nxënësit e saj u shpërblyen me çmime në gara të ndryshme edhe jashtë vendit.
‘Kosova Kamer Fest’ do të vazhdojë me koncertin e fundit për këtë edicion me një ansambël harkor nga Irlanda e Finlanda nën dirigjimin e Lygia O’Riordan me datën 1 dhjetor.