Kurti: Serbia po përdorë ndikimin e saj në veri të Kosovës
Lajme

Kurti: Serbia po përdorë ndikimin e saj në veri të Kosovës

V. Thaçi/RTKlive

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur fjalim në Kongresin e 26-të të Internacionales Socialiste që po mbahet në Madrid të Spanjës.

Ai në këtë fjalim ka deklaruar se përbërësi që mungon për paqe në rajonin e Ballkanit Perëndimor është një Serbi demokratike.

Sipas tij, fqinji verior i Kosovës – Serbia, është ende një vend autoritar me aspirata territoriale ndaj Kosovës dhe me lidhje të gjera e të ngushta me Kremlinin.

“Që nga përfundimi i luftës në vitin 1999, ata na kanë kërcënuar vazhdimisht me sjellje luftarake. Deri më sot, ata mbajnë 48 baza ushtarake dhe xhandarmërie në të gjithë kufirin e saj me Kosovën. Për më tepër, që nga shpallja jonë e pavarësisë në vitin 2008, ajo është angazhuar vazhdimisht në fushata që synojnë të minojnë shtetësinë tonë. Edhe pse në vitin 2010 Serbia kërkoi mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e pavarësisë sonë, ajo ka zgjedhur të mos respektojë gjetjet e gjykatës. Së fundmi, është përpjekur të përdorë ndikimin e saj në pjesën veriore të vendit tonë për të minuar sundimin e ligjit në atë rajon”, theksoi Kurti.

Tutje, ai ka thënë se me një Serbi që refuzon të pranojë krimet e luftës nga e kaluar e afërt është e vështirë të arrihet një paqe e vërtetë përgjatë vijave, siç i quajti ai, kantiane.

“Qeveria ime po fokusohet në zhvillimin e ekonomisë sonë, reformimin e sistemit tonë të drejtësisë dhe forcimin e kapaciteteve tona mbrojtëse. Paralelisht, unë mbetem i përkushtuar ndaj këtij dialogu të lehtësuar nga BE me lidershipin aktual të Serbisë. Dialog edhe me ata që nuk ndajnë të njëjtat vlera”, tha Kurti.

Kryeministri shtoi se Republika e Kosovës është një ndër vendet më demokratike në rajonin tonë.


MË SHUME NGA Lajme