Osmani: Me NATO-n kemi koordinim për tërë territorin e Kosovës
Lajme

Osmani: Me NATO-n kemi koordinim për tërë territorin e Kosovës

Visar Shatrolli/ RTK

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka qëndruar sot në kazermën "Adem Jashari" në Prishtinë. Duke inspektuar këtë organizatë, Osmani tha se FSK është duke kaluar nëpër një tranzicion shumë të rëndësishëm. Gjithashtu ajo foli edhe për takimet e saj, përkatësisht me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, e me të cilin tha se kanë biseduar për bashkëpunimin e NATO-s dhe koordinimin e nevojshëm për tërë territorin e Kosovës.

Si çdo 27 nëntor tjetër, edhe këtë herë Forca e Sigurisë së Kosovës ka organizuar “Ditën e Hapur”.  Qytetarë e familjarë të shumtë nga e gjithë Kosova në këtë ditë kanë parë nga afër aftësitë dhe kapacitetet ushtarake të FSK-së.

Prezent në hapësirat e kazermës “Adem Jashari” ka qenë edhe komandantja supreme e kësaj force së bashku me vëllain e komandantit legjendar, Rifat Jashari dhe gjeneralin e FSK-së, Bashkim Jashari.

Presidentja Osmani është njoftuar me kapacitet aktuale të FSK-së.

E para e shtetit këtu tha se kjo forcë po kalon një fazë të rëndësishme të tranzicionit.

"Pamë për së afërmi përkushtimin dhe angazhimin, e mbi të gjitha për të dhënë gjithçka për atdhe të vajzave dhe djemve, të burrave dhe grave të ushtrisë sonë, prandaj  përulemi para punës së tyre, kontributit dhe këtij përkushtimi. Forca e Sigurisë së Kosovës po  vazhdon me një sukses të madh periudhën e tranzicionit dhe natyrisht po punon duke pasur parasysh që orientim strategjik si shtet, por edhe si popull e kemi anëtarësimin në NATO”, tha ajo.

Osmani po ashtu ka deklaruar se me bashkësinë ndërkombëtare ka një koordinim të vazhdueshëm për tërë territorin e Kosovës, dhe jo vetëm për ndonjë rajon specifik.

 “Deri më tani kam pasur disa takime me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg dhe natyrisht se diskutojmë për ndërveprimin tonë më NATO-n dhe koordinimi ynë më NATO-n është i nevojshëm për tërë territorin e Kosovës dhe jo vetëm për veri.Ne flasim për të gjithë territorin, Kosova është e tëra dhe është e pandashme. Andaj çdo koordinim i yni me bashkësinë ndërkombëtare është për tërë territorin e Kosovës”, tha Osmani.

Komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari, ka uruar gjithë qytetarët për festat e nëntorit.“Duke falënderuar secilin pjesëtarë për angazhimin dhe shërbimin ndaj vendit, sot së bashku festojmë të arriturat dhe sukseset e FSK-së, dhe kështu nderojmë sakrificën e popullit ndër breza”, theksoi Gjeneral Jashari.

Ndërkohë, brenda objektit të kazermës, presidentja Osmani dhe Rifat Jashari kanë bërë zbulimin e një portreti të komandantit legjendar Adem Jashari, punuar nga piktori Faton Kryeziu.

 


MË SHUME NGA Lajme