SHSKUK: Të merren masa ndaj logopedit që keqtrajtoi pacienten 5 vjeçare
Foto: RTKlive
Lajme

SHSKUK: Të merren masa ndaj logopedit që keqtrajtoi pacienten 5 vjeçare

E.Hoti/RTKLive

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), ka reaguar për raportimin se logopedi nga Gjilani, e kishte keqtrajtuar një vajzë 5-vjeçare e diagnostikuar me autizëm.

 Në njoftimin e ShSKUK-së thuhet  se rasti ka ndodhur jashtë institucionit të QKUK-së.

“Njoftojmë opinionin se me të parë publikimin në medie, për rastin që ka ndodhur jashtë institucionit të QKUK-së, e për të cilin nuk kemi qenë të informuar, menaxhmenti i ShSKUK-së,  kërkuar nga drejtori i Klinikës së Otorinolarongologjisë  që të procedojë me ndërmarrjen e masave konform legjislacionit në fuqi, meqë drejtori i klinikës është mbikqyrës i shefave të reparteve dhe shërbimeve përkatëse”, thuhet në njoftim.

Për ShSKUK është e dënueshme dhe e pa pranueshme sjellja e tillë e një profesionisti shëndetësor.

”Andaj siç e theksuam presim që drejtori i Klinikës së ORL-së të ndërmarrë masat e nevojshme konform legjislacionit në fuqi,” thuhet në njoftimin e ShSKUK-së.

Sa i përket mungesës së licencës së punës, ShSKUK thotë se lëshimi i tyre është në kompetencë të Odave përkatëse, Odës së Mjekëve  për mjekë dhe Odës së Infermierëve për profilet tjera, për çka të njejtit duhet të lajmërojnë institucionet.

“Mungesa e një databaze elektronike për stafin e ShSKUK, e vështirëson përcjelljen në kohë reale të punës, avansimeve dhe mungesave eventuale të stafit. Për këtë arsye, memaxhmenti i ShSKUK, para 2 jave ka filluar procesin e digjitalizimit të të dhënave të stafit të saj”, thuhet në njoftim.


MË SHUME NGA Lajme