Blinken uron shqiptarët: Krenar që qëndrojmë krah për krah
Foto: ATSH
Lajme

Blinken uron shqiptarët: Krenar që qëndrojmë krah për krah

ATSH

Në kuadër të 110-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka uruar shqiptarët. Blinken thekson se është i nderuar që të urojë popullin e Shqipërisë për 110-vjetorin e Pavarësisë, ndërsa shton se “jemi krenare që festojmë 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri dhe partneritetin e gjerë e të fortë që kemi ndërtuar së bashku”.

“Shtetet e Bashkuara kanë qenë të nderuara të punojnë së bashku me Shqipërinë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, teksa ju vazhdoni të jepni kontribut të rëndësishëm në skenën botërore. Shqipëria ka shfaqur lidership dhe guxim duke mbështetur Ukrainën dhe duke vënë në dukje veprimet e aktorëve keqdashës në Evropë dhe në mbarë botën. Kontributet e çmuara të Shqipërisë si aleate e NATO-s ndihmojnë në mbajtjen e Aleancës të fortë, të përgatitur dhe të vendosur. Shtetet e Bashkuara falënderojnë gjithashtu Shqipërinë për partneritetin dhe mbështetjen e saj gjatë zhvendosjes së afganëve”, thekson Blinken.

Sekretari i Shteti shprehet më tej: “Ne urojmë Shqipërinë për arritjen e hapjes të negociatave me BE në korrik dhe mbetemi të përkushtuar për t’ju mbështetur përgjatë rrugës suaj transatlantike. Së bashku, po punojmë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, për të siguruar energji ndërsa çojmë përpara agjendën tonë të përbashkët klimatike për Evropën dhe për të forcuar mbrojtjen kibernetike”.

“Teksa hyjmë në shekullin tjetër të marrëdhënieve tona, ne jemi krenarë të qëndrojmë krah për krah me popullin shqiptar”, përfundon mesazhin e urimit, Sekretari amerikan i Shtetit.


MË SHUME NGA Lajme