Politika e Serbisë ndaj Kosovës do të rezultojë me zhdukjen e serbëve
BKT
Foto: N1/Reuters
Lajme

Politika e Serbisë ndaj Kosovës do të rezultojë me zhdukjen e serbëve

Përgatiti: Jeton Musliu

A është e mundur të mendosh për njohjen e Kosovës nëse je një serb? Kjo ishte tema rreth së cilës diskutuan politikanë e analistë në Beograd, në forumin e organizuar nga Grupi për Politikë Konceptuale nga Novi Sadi, me mbështetjen e Qendrës për Dekontaminim Kulturor.

Në forum u vlerësua se serbët janë peng të politikës nga Beogradi  “i cili e sheh Kosovën si një territor të zbrazur nga njerëzit”, gjë që siç u tha, do të çojë në faktin se as në Kosovë nuk do të ketë serbë.

Në këtë forum, u prezantua numri i ri i buletinit "Stanar", i cili u botua si shtojcë në gazetën ditore ‘Danas’ nën titullin- “A mund të mendosh për njohjen e Kosovës nëse je serb”.

Lideri i Forumit Demokratik Qytetar, Zoran Vuletiq, theksoi se që nga viti 2000, "deklarativisht një qeveri pason një tjetër, por  pa ndryshuar politikën" dhe se vetëm qeveria e Zoran Gjingjiqit,  e kishte kuptuar se çfarë ndodhi në Kosovë.

Ai vlerësoi se vetëm qeveria e Gjingjiqit iu përkushtua problemit, por pse u vra ai njeri, sipas tij, vetëm ai veproi në mënyrën e duhur.

“Praktikisht, në kuptimin politik, është e vetmja qeveri që realisht e zbatoi atë politikë në çdo kuptim në mënyrë aktive – në aspektin e vlerave, organizimit, pikëpamjes moderne për jetën, në organizimin e shtetit, në qasjen në institucione”, tha Vuletiç.

Ai shtoi se ajo qeveri ishte e vetmja me mision dhe synim politik – “Serbia në Perëndim sa më shpejt dhe në BE sa më shpejt”.

Historiani i artit, Branislav Dimitrijeviq tha se konstanta më e madhe e politikës serbe është se Kosova është një territor që disi është boshatisur nga njerëzit dhe se, shtoi ai, jo vetëm nga shqiptarët, por së fundmi edhe nga serbët.

“Kur shikon një territor si burime natyrore ose tokë, dhe nuk mendon për faktin se njerëzit jetojnë në atë tokë, atëherë duke dashur të mbrosh komunitetin tënd kombëtar, ti në fund po i bën asaj bashkësie kombëtare një dëm", tha Dimitijeviq.

Artisti pamor, shkrimtari dhe deputeti i koalicionit “Duhët” në Parlamentin e Beogradit, Dejan Atanackoviq, ka vlerësuar se ekziston nevoja “për një akt deklarativ të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”.

Sipas tij, është i domosdoshëm edhe ballafaqimi afatgjatë kulturor dhe politik me faktin se ndarja e Kosovës nga Serbia, pas një historie të gjatë marrëdhëniesh problematike, është rezultat i një politike luftarake katastrofike.

“Ata që e udhëhoqën atë politikë, janë sot në pushtet dhe ajo politikë më pas përfundoi jo vetëm me humbjen e territorit, por me një shpërbërje dhe shpërbërje shoqërore shumë të gjithanshme”, tha ai.

Ai vlerësoi gjithashtu se regjimi në Beograd, “nën petkun e patriotizmit të madh” dhe përpjekjeve patriotike-diplomatike, “bëri terror ndaj serbëve në Kosovë”, sepse, siç tha ai, ”veriu është fushë për operacione kriminale”.

Gazetari Milan Radonjiq, autori i librit “Oliver si vëllai për vëlla”, vlerësoi se liderët autentikë të serbëve të Kosovës nuk mund të imponoheshin kurrë në Beograd si bashkëbisedues.

“Oliver (Ivanoviq) është viktimë e faktit se ai u përpoq të ishte autentik, të artikulonte politikën e tij ndaj problemit që drejton jetën tonë dhe që ka qenë i pazgjidhur për një kohë të gjatë”, tha Radonjiq.

Ai gjithashtu vlerësoi se ekzistenca e serbëve në Kosovë, “sa i përket sigurisë dhe prosperitetit të tyre” varet nga “njerëzit, parimet morale të të cilëve nuk janë në fushën e vizionit”, që do të rezultojë që “serbët të mos jenë më në Kosovë”.

(Marrë nga N1)


MË SHUME NGA Lajme