Presidentja udhëton në Bullgari, do të pritet nga presidenti Rumen Radev
Foto: Vjosa Osmani/Facebook
Lajme

Presidentja udhëton në Bullgari, do të pritet nga presidenti Rumen Radev

Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive

Me nderime të larta ushtarake, Presidentja e shtetit Vjosa Osmani do të pritet në Bullgari nga homologu i saj, Rumen Radev. Ndërkohë, për presidenten e Kosovës do të ndahet edhe Çelësi i Sofjes, nga kryetarja e kryeqytetit bullgar, Yordanka Fandakova. Kurse, presidentja Osmani do t’i nderojë me Medaljen Presidenciale Ushtarake Forcat e Armatosura të Bullgarisë për kontributin e tyre në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s.

“Përveç takimit tête-à-tête me presidentin Radev, presidentja Osmani do ta zhvillojë edhe një takim bilateral dhe më pas do ta kenë një konferencë të përbashkët për media”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, e para e shtetit bashkë me delegacionin përcjellës do të jenë mysafirë në darkën presidenciale të shtruar nga presidenti bullgar.

Përveç me homologun e tij, Osmani takim do të zhvillojë edhe me kryetarin e Parlamentit të Bullgarisë, Vezhdi Romanov.

Ndërkohë, siç bëhet e ditur, në një ceremoni të veçantë të organizuar nga kryetarja e kryeqytetit bullgar, Yordanka Fandakova, Presidentes Osmani do t`i dhurohet Çelësi i Sofjes.

“Në agjendën e vizitës së presidentes Osmani në Bullgari është edhe ndarja e Medaljes Presidenciale Ushtarake për Forcat e Armatosura të Bullgarisë për kontributin e tyre në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s (KFOR) në Kosovë. Në ceremoni do të jetë i pranishëm edhe presidenti Radev, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Dimitar Stoyanov dhe komandanti i Forcave të Përbashkëta të Armatosura të Bullgarisë, Valeri Tsolov”.

Për presidenten në Bullgari, do të ketë edhe mirënjohje në Universitetin “Shën Kliment Ohridski”, aty ku para stafit akademik, diplomatëve të akredituar dhe studentëve do ta mbajë një diskutim, në të cilin do të flasë për paqen dhe prosperitetin nëpërmjet integrimit euroatlantik në Evropën Juglindore.

“Departamentit të gjuhëve të përgjithshme, indoevropiane e ballkanike të këtij Universiteti, Presidentja Osmani do t`ia dhurojë një mirënjohje për kontributin e çmuar për studimin, zhvillimin dhe kultivimin e mëtejshëm të gjuhës shqipe”, bëhet e ditur tutje në njoftim.

Presidentja Osmani, gjatë vizitës në Bullgari do ta ketë një takim edhe me mërgatën shqiptare që jeton e vepron në këtë shtet.


MË SHUME NGA Lajme