Qeveria ndan edhe 7 milionë euro për punëtorët e studentët
Foto: Qeveria e Kosovës
Lajme

Qeveria ndan edhe 7 milionë euro për punëtorët e studentët

M.Shefkiu/RTKlive

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e radhës mbajtur të martën vonë në mënyrën elektronike, vendosi që t’i zgjasë masat emergjente për furnizimin me energji edhe për 30 ditë, si dhe aprovoi kërkesën e Ministrisë së Financave, për ndarje të mjeteve buxhetore prej 7 milionë eurove për ringjalle ekonomike.

Sipas njoftimit të Qeverisë, thuhet se vendimi për masat emergjente për furnizim me energji, është marrë me qëllim të normalizimit të plotë të gjendjes në nivel të shtrirjes dhe kohëzgjatjes së nevojshme edhe për 30 ditë.

Po ashtu qeveria ka miratuar edhe kërkesën e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për kursime dhe ndarje në shumën prej  6,094,051.63 euro.

“U miratua kërkesa e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për ndarje të mjeteve buxhetore prej 7 milionë euro për zbatimin e pikës 1.4 dhe 1.6 të vendimit Nr. 31/99 të datës 30.09.2022, përkatësisht për pagesat e njëhershme për punëtorët e ndërmarrjeve publike dhe pagesat e njëhershme për studentët, dhe për zbatimin e Masës 2.1 - Subvencionimi i kredive investive të Pakos së Ringjalljes Ekonomike”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Po ashtu është miratuar edhe kërkesa për aprovimin e ndarjes së mjeteve buxhetore për mbulimin e mungesës së mjeteve në kategorinë e shpenzimeve “Paga dhe Shtesa” për muajin nëntor 2022.

Gjithashtu ekzekutivi ka marrë vendim për t’i propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës miratimin e vendimit për dërgimin e Kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, përkatësisht dërgimin në operacionin në mbështetje të paqes, sipas Marrëveshjes Implementuese, lidhur me Atashimin e Personelit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Kompaninë Roulment të Këmbësorisë në ishujt Falklands.

“Misioni i FSK-së do të jetë në mbështetje të paqes në Ishujt Falklands dhe gjatë këtij misioni do t’i nënshtrohet marrëveshjes së nënshkruar me Mbretërinë e Bashkuar. Në këtë mision do të dërgohen deri në 7 pjesëtarë të FSK-së dhe ky mision mund të zgjas deri në tre vite me mundësi vazhdimi. FSK në këtë mision do të jetë nën komandën e Forcave të Armatosura të shtetit pritës dhe financiarisht mbulohet nga Buxheti i Republikës së Kosovës”, thuhet në vendimin e ekzekutivit.

Si dhe është plotësuar dhe ndryshuar Vendimi i Qeverisë Nr. 15/96 të datës 14 shtator 2022, për të reflektuar ndryshimet e nevojshme për realizimin e pagave të specializantëve.


MË SHUME NGA Lajme