Nuk kalon rezoluta e propozuar nga AAK|Video
Foto/ RTK
Lajme

Nuk kalon rezoluta e propozuar nga AAK|Video

Valmira Saraçi Sahatçiu& Afet Bela/ RTKlive

(E plotësuar, ora 14:07) Pas disa orë debati nuk ka arritur të kalojë rezoluta e AAK-së rreth gjendjes në veri. Për këtë propozim të AAK-së opozitare votuan vetëm 21 deputet derisa 42 ishin kundër dhe një abstenim.

 

 

Live|Kurti: Shtrirja dhe mbrojtja e sovranitetit është obligim kushtetues

(E plotësuar, ora 13:51) Po vazhdon interpelanca e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

(E plotësuar) Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku është ftuar në interpelancë ka folur rreth zhvillimeve të fundit për targat në veri dhe arritjes së ujdisë në Bruksel.

Kryeministri Kurti tha shtrirja dhe mbrojtja e sovranitetit nuk është diçka e jashtëzakonshme, por është obligim kushtetues e ligjor i institucioneve të sigurisë dhe është betim i përbashkët që kanë bërë në Kuvend.

“Në këtë kuptim, Policia e Kosovës nuk është duke bërë asgjë të jashtëligjshme e të jashtëzakonshme, por është duke e zbatuar misionin e saj kushtetues e ligjor. Të gjitha aktivitetet e policisë duke përfshirë nga patrullimet rutinore e deri te operacionet tërë territorin e Republikës nuk janë bërë asnjëherë me qëllim ndaj një etnie të caktuar, në zona të caktuara apo për arsye të caktuara”, tha Kurti.

Kreu qeveriar tutje tha se Policia nuk e ndjekë askënd sipas përkatësisë etnike, por sipas veprimeve e sjellëve individuale e grupore.

“Natyrisht, në asnjë vend tjetër si në veri nuk është luftuar angazhimi i drejtë e ligjor i Policisë së Kosovës, kjo ka ndodhur sepse me vite të tëra veriu i vendit ka qenë i kontrolluar nga Beogradi përmes grupeve të ndryshme kriminale që në disa raste kanë pasur mbështetje nga qeveritë e së fundi u konfirmua haptazi që kanë pasur mbështetje edhe nga strukturat e larta të menaxhmentit të policisë në Drejtorinë Rajonale të veriut”, tha ai, raporton RTKlive.

Kurti tha se Policia e ka zbatuar çdo ditë ligjin dhe kudo misionin e tyre për sundim të ligjit që duhet ta ketë në shënjestër krimin e organizuar e korrupsionin, përndryshe nuk ka kuptim.

“Është e vërtetë që policia si askund tjetër është sfiduar pikërisht në veri të vendit, 11 herë janë bllokuar e sulmuar për tu eliminuar, por nuk janë ndalur asnjëherë. janë realizuar 38 operacione policore prej të cilave 33 operacione të antidrogës, janë shkatërruar 6 laboratorë të drogës me investime qindra milionëshe, janë sekuestruar mbi 40 kilogramë substancë narkotike rreth 110 mijë e euro dhe mbi 370 mijë dinar serb. Prandaj, janë sulmuar zyrtarët policor, sepse kanë shkundur themelet e grupeve kriminale atje. Unë iu falënderohem e i jam përjetë mirënjohës për këtë punë sakrifikuese që e kanë bërë. Ata që janë kundër ligjit e duan paligjshmërinë. Ata nuk e kanë hall veprimin e policisë, por e kanë hall praninë e policisë”, tha ai

Shefi i qeverisë tha se Policia e Kosovës nuk është penguar asnjëherë nga serbët lokal, për shkak të angazhimit të atë zonë, por policët falënderohen çdo ditë nga qytetarët në veri për punën dhe angazhimin në ofrimin e sigurisë për ta.

“Dëshmia se serbët lokal nuk kanë asnjë problem me ne dhe institucionet tona është edhe procesi i pranimit të qortimit nga ana e tyre për përdorimin e targave ilegale. 1800 qortime fiks janë shpërndarë deri në mëngjesin e 24 nëntorit dhe nuk është shënuar asnjë ankesë, asnjë incident gjatë shpërndarjes së tyre. Në komunikacion e procesi i regjistrimit ka vijuar me kërcënime e sulme ndaj qytetarëve që janë pajisur me targa RKS, atyre u janë djegur veturat e pronat e tyre në mbrëmjet e ditëve që kanë pranuar e vendosur targat RKS”, tha ai

Sipas tij, Policia e Kosovës është ballafaquar me dorëheqje të orkestruara nga Beogradi të eprorëve policor e me dorëheqje pas kërcënimeve ndaj zyrtarëve të tjerë policor.

“Policia në atë zonë është ballafaquar me çdo lloj sfide prandaj edhe këtë po e menaxhojnë suksesshëm që të jenë në nivel detyre për çdo qytetar pa dallim e të mos lënë askund vakum. Policia kufitare në Leposaviq deri kur kemi ardhur në qeveri ka pasur një zyre të vogël pune e ndërkohë ajo është vija kufitare me më së shumti qarkullim, rrjedhimisht ka pasur më shumë kontrabandë dhe kalim ilegal kufiri, por ka munguar vullneti për luftim të tyre dhe rrjedhimisht edhe për forcim të kapaciteteve tona policore”, tha ai

Kurti tha se tani janë tri stacione policore të vijës së gjelbër të kufirit që angazhohen në luftim të kontrabandës, trafikimit me qenie njerëzore dhe çdo ilegaliteti atje, në Jarinje, Bërnjak e Jasenovik.

“Në pikën 2 të rezolutës, thuhet komunikim me serbët lokal për të kthyer besimin e ndërsjellë. Komunikimi me qytetarët lokal serb po ndodhë e njëkohësisht po ndodhin edhe investime. Pas 22 vitesh është investuar në veri në infrastrukturë. Për herë të parë po shtrohen rrugët që lidhin fshatrat në veri. Qytetarëve po iu afrohet qasje më e shpejtë e më e lehët e qarkullimit. Gjatë javëve në vazhdim do ta mbështesim edhe Telekomin që ta zgjerojë rrjetin edhe në komunat veriore në vlerë prej 1 milion euro. Çështja e trajtimit të dorëheqjeve të zyrtarëve policor, nuk është vendim i imi as i MPB-së, nuk është vendim politik. Vendim politik ka qenë dorëheqja politike, për bindjen time për arsye të paqena. Thoshin morale e individuale e teksti krejt i njëjte për secilin prej tyre, e njëjta krizë morale e individuale i kishte kapur secilin prej tyre, ky është vendim politik. Unë e përsëris thirrjen time që asnjë serb të mos i braktisë institucionet e kjo është thirrja ime e vazhdueshme. Institucionet nuk janë të qeverisë, por të gjithë qytetarëve, mirëpo aty ku ka vakum duhet të ketë aplikime të reja për punë”, tha ai.

Sipas tij vendimi politik i dorëheqjes nuk mund të pasohet me thirrje politike për kthim, por me aplikim profesional të atyre që i duan ato vende pune. “Natyrisht të gjithë janë të mirëseardhur, por këtë nuk e vendosë as kryeministri e as ministri i Brendshëm, por kjo rregullohet sipas procedurave dhe rregulloreve të policisë që vlejnë për të gjithë zyrtarët pa dallim”, tha Kurti.

Live|Kurti: Kosova ka qeveri, e cila nuk varet nga votat e Listës Serbe

(E plotësuar, ora 12:53) Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku është ftuar në interpelancë ka folur rreth zhvillimeve të fundit për targat në veri dhe arritjes së ujdisë në Bruksel.

“Me 23 nëntor të këtij viti në mbledhjen e 109 të Qeverisë dhe me 24 nëntor këtu në Kuvendin e Republikës unë kam treguar për rrjedhën e takimit të nivelit të lartë mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë me 21 nëntor. Teksti i propozuar nga Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borell, si draft deklaratë që mëtohej të lëshohej në fund të takimit e që në fakt përbënte ftesën për takim i kishte 4 paragraf, 2 nga ta bënin thirrje për përqendrim me urgjencë në propozimin e BE-së të përkrahur nga Gjermania e Franca për normalizim të marrëdhënieve, duke vendosur edhe një afat për arritjen e marrëveshjes, para marsit 2023. Pra, marsi i vitit 2023 për herë të parë përmendet në ftesën e Borellit dhe Lajçakut për takimin që u zhvillua më pastaj. Në parim ne u pajtuam me këtë ftesë dhe i premë biletat në Bruksel. Në kuadër të diskutimeve që kishim atje, ne gjithmonë e kemi vënë theksin tek propozimi i BE-së për marrëveshje, si dialog për marrëveshje, jo dialog për proces apo dialog për të zgjidhur një problem të vogël”, tha Kurti.

“Konvertimi i targave ilegale në komunat në veri të Kosovës është e drejtë e qytetarëve të Republikës dhe njëkohësisht obligim i qytetarëve, dhe ne këtë obligim e kemi zbatuar duke paraqitur edhe insentiva financiare për të gjithë ata që e bëjnë konvertimin e targave. Dhe le të mos harrojmë se janë disa mijëra targa të tilla, dhjetëra, mijëra serb tashmë i kanë konvertuar targat e tyre ilegale në ato RKS, ka edhe të atillë që i kanë konvertuar edhe në targa të Serbisë, por është një pakicë, përbrenda pakicës serbe që nuk i kanë konvertuar. Le të mos e krijojmë përshtypjen që bëhet fjalë për shumicën e pakicës, por për pakicën e pakicës, sepse të dhënat e MPB-së e Policisë e dëshmojnë një gjë të tillë”, tha ai.

Shefi i qeverisë, tha se ishin dakord që të pezullonin veprimet e mëtejshme përkatësisht bëhej fjala për gjobat që pasonin qortimet lidhur me konvertimin e targave, nëse Serbia do të pezullonte lëshimin e targave me dominime të qyteteve të Kosovës, raporton RTKlive.

“Pra, fokusim me urgjencë dhe me një afat të caktuar në propozimin franko-gjerman dhe në mes pezullim të veprimeve të mëtejshme të targave sa i përket gjobave në Kosovë e të lëshimit të tyre në Rashkë të Serbisë, ky ishte propozimi ynë, shumë racional dhe ndodheshim fare pranë tij për të arritur një deklaratë të përbashkët të cilën më pas do ta paraqiste Borell. E përsëris, takimi nuk ishte i suksesshëm pasi nga fokusi te propozimi i BE-së i mbështetur nga Franca, Gjermania e SHBA, u kalua vetëm tek veprimet lidhur me konvertimin e targave ilegale”, tha ai.

Kurti ka përsëritur çfarë atë ka thënë me 18 gusht. “Nuk jam as polic as komandant stacioni, as zyrtar dogane as shef kadastri, jam kryeministër i Republikës së Kosovës dhe kam ardhur për marrëveshje finale, e ata e dinin që unë kam të drejtë sepse takimi i 18 gushtit më ka dhënë të drejtë sepse pika e parë është korniza e përgjithshme e marrëveshjes e pika e dytë çështjet aktuale. Të mërkurën u arrit ajo që mund të arrihej të hënën, pra pezullim i veprimeve të mëtutjeshme sa i përket targave, në njërën anë gjobitjen e atyre ilegale në Kosovë, e në anën tjetër ndalim i lëshimit të  atyre  në Serbi”, theksoi ai.

Në Gjykimin e tij, dakordimi i së mërkurës nuk ishte i mundur pa zhvillimet e së hënës, sepse tha se të hënën u panë shumë gjëra e mbi të gjitha sipas kryeministrit u pa braktisja e propozimit të BE pikërisht nga ndërmjetësi. “Gjithsesi tani jemi në një situatë tjetër, ne kemi bërë pezullim të veprimeve për t’i dhënë hapësirë marrëveshjes sipas propozimit evropian të cilën qysh në fillim ne e kemi quajtur bazë të mirë për diskutim sepse është e bazuar mbi vlera”, tha Kurti.

Kurti, tha se tani i takon sponsoruesve të këtij plani që në një afat sa më të shpejtë të arrihet një marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve. “Siç kam deklaruar në ditën e inaugurimit në këtë Kuvend, dialogu është një nga temat kapitale në të cilat ne synojmë konsensus politik e shoqëror. Në këtë drejtim unë kam ftuar vazhdimisht krerët politik për konsultim e bashkërendim, përfshirë edhe thirrësin e interpelancës. Ne jemi vend demokratik dhe debatet e kritikat konstruktive forcojnë argumentet tona. Ne mund të  mos pajtohemi çdo herë për qasje në dialog se cilat janë strategjitë e praktikat më të mira, besoj këtu dallojmë, por ajo që besoj që na bashkon është qëllimi ynë i përbashkët për forcimin e sovranitetit dhe ruajtjen e integritetit territorial”, tha ai.

Duke shtuar se qytetarët kanë votuar masivisht për ndryshim e një qasje të re ndaj dialogut me Serbinë.

“Prandaj unë kritikat i mirëpres, por unë besoj që në të njëjtën kohë duhet ta kuptoni saktësisht edhe qartësinë, vendosmërinë, drejtësinë dhe dobinë e kësaj qasje të re. Sikur të ishim në qeveritë e kaluara ku shumica bëhej e varej nga Lista Serbe me siguri do të kishte edhe mocion mosbesimi ta rrëzonte qeverinë, por ja që kjo nuk është e mundur tash. Reciprociteti me targa e reciprociteti me letërnjoftime do të ishte motiv i mjaftueshëm për ata që të provojnë ta rrëzojnë qeverinë, mirëpo ka ndodhur ndryshimi i madhe dhe besoj që të gjithë duhet të gëzohemi që Republika e Kosovës e ka një qeveri e cila  nuk varet për mazhorancën nga votat e Listës Serbe. Pavarësia nga Serbia është edhe pavarësi nga strukturat ilegale dhe ndikimin e tyre destruktiv në politikë që e kanë prej se ekzistojnë”, theksoi ai.

Hoxhaj nga PDK: Situata në veri është në pikën më të ulët të politikës

Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, tha se situata në veri është në pikën më të ulët të politikës dhe sigurisë në Kosovë në këto 20 vitet e fundit, dhe është fillimi më i vështirë që ka pasur ndonjëherë Kosova në këto 20 vitet e fundit. No description available. “Kam pasur një pritje që kryeministri nuk e fillon fjalimin e tij nga 23-24 nëntori dhe na tregon çfarë shkruan në komunikatën e BE-së, por na jep një informatë të plotë për atë se çfarë ka ndodhur deri tash në veri. Natyrisht që kolegët nga AAK kanë ftuar një seancë të hapur, më me qejf do të doja të kishim një seancë të mbyllur të flisnim shtruar dhe seriozisht për këtë temë, jo me pritjen që vetëm ta sulmojmë qeverinë por ta ndërtojmë një rezon shtetëror. Nuk është vetëm vakum se fjala vakum i bie kur diçka është e zbrazët, është humnerë politike, ku komunat e Kosovës janë pa kryetar ku asambletë komunale janë pa këshilltar, ku stacionet e policisë janë pa polic ku gjykatat dhe institucionet e drejtësisë janë pa prokuror e gjykatës dhe kjo është situata reale. Mendoj që do të duhej të jemi të saktë nëse duam të lëvizim përpara. Situata në veri të vendit nëse doni thuani është vrimë e zezë, apo gropë e madhe politike sepse aktualisht kur ne po diskutojmë nuk ka as institucione shtetërore as proces politik për t’i krijuar ato”, tha ai.

Sipas tij data e 5 nëntorit është ora më e keqe e historisë moderne të shtetit, kur çka është ndërtuar nga viti 2008 u shembë më 4 e 5 nëntor. “Unë iu kisha ftuar që përtej kësaj seance ta kemi një seancë të mbyllur kurdo që kryeministri do që të flasim për këtë temë. Krejt kjo çka është ndërtuar është ndërtuar me mundin e Kosovës e të partnerëve dhe të institucioneve ndërkombëtare mes vitit 2000 dhe 2007 janë krijuar institucione në veri me mbështetje të OKB , nga 2008 pas shpalljes së pavarësisë e deri në 2012 me mbështetje të ICO-së.  Jam i vetëdijshëm dhe duhet qenë real që situata në veri ka qenë çdo herë komplekse, por pas 5 nëntorit është një kolaps shtetëror. Nuk është mirë që kryeministri të na tregojë sa paragrafë i ka komunikata e BE-së, por pse janë tërhequr 3 mijë shtetëror, a janë 2 mijë, 600 a 700 ...është me më rëndësi sesa komunikata e Borellit dhe më së paku unë iu besoj komunikatave sepse ato janë edhe listë e dëshirave”, tha ai.

Hoxhaj i ka thënë Kurtit se ka mbështetjen e plotë sa i takon situatës në veri. “Nuk po shoh politikë të qeverisë në raport me situatën në veri. Nuk është politikë kjo, masa, gjoba. Asfalt, ky fshat ai fshat. Nuk ka politikë se si të ri-integrohet veriu në institucionet e Kosovës. Unë pres që të dëgjoj nga kryeministri që të tregojë çka do të bëjë në raport me veri dhe çka do të bëjë në raport me Serbinë. Nëse e kam parasysh se si është sjellë nga korriku deri në nëntor kryeministri më shumë i ka përngjarë dikujt që hyn në autostradën e tij politike gabimisht dhe gjithë ata që i sheh duke udhëtuar në drejtimin e kundërt thotë çka paska ndodhur me këta. Unë jam i sigurt që edhe në marsin e vitit 2023 ka me qenë në autostradën e tij politike gabimisht dhe do të vijë të iu thotë juve deputet ishin gjithë gabim e unë isha në drejtimin e duhur. E dini që historikisht ka qenë gabim në disa tema”, tha Hoxhaj.

Abdixhiku: Dialogu është interes i Kosovës

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha dialogu është interes i Kosovës jo sepse duhet bërë kompromise me Serbinë, por sepse duhet të kërkojmë marrëveshje finale që do t’i hapte rrugën Kosovës drejtë integrimit.

“Tani kur dëgjon pozicionimet e qeverisë të krijohet përshtypja që jeton në një univers paralel, pra dy botëra që nuk përputhen me njëra tjetrën. Kryeministri foli për siguri e luftë kundër krimit, ndonëse sot derisa flasim këtu mbi 17 për qind e territorit të Kosovës është pa polici, pa prokuror, pa gjyqtar pa shërbim bazik administrativ e komunal. Shihni njerëzit se si një aksident rrugor nuk mund ta zgjidhin në veri, një dhunë familjare nuk ka kush ta trajtojë, me çka mbahet shteti. Me fjalime nga Prishtina?. Pra pushteti na flet se si ka ndryshuar procesi i dialogut sepse këta janë në qeveri, por më lejoni ta lexoj një pjesë të atij paragrafi të Borellit: “palët e kuptojnë që të gjitha marrëveshjet paraprake të dialogut duhet të implementohen, edhe asociacioni. Tani a është ky ndryshimi, nëse është ndryshimi prej së kaluarës pse jemi pajtuar të bëhet asociacioni. Mund të thoni nuk është i mirë e keni vërejtje, por të bëni fushatë se nuk do ta bëni e në marrëveshjen e parë që e nënshkruani zotoheni për implementim, çfarë ndryshimi është ky. Dhe se na flisni për tabela se si janë hequr,.  Keni nënshkruar marrëveshje për t’i mbajtur ato. Kjo është e vërteta”, tha ai.

Sipas tij trajtimi i kësaj teme do të duhej të ndodhte gjatë kohës kur ne ishim në përplasje me gjithë komunitetin ndërkombëtar, por gjithsesi trajtimi i gjendjes në veri mbesin gjithnjë aktuale.

“Asgjë nuk e zëvendëson raportimin para qytetarëve. Dialogu është interes i Kosovës jo sepse duhet bërë kompromise me Serbinë, por sepse duhet të kërkojmë marrëveshje finale që do t’i hapte rrugën Kosovës drejtë integrimit dhe në këtë rrugë Kosova duhet të sigurojë njohjen e vendeve mos njohëse nga BE dhe të sigurisë sa më parë anëtarësimin në NATO e të hapë kapitujt për anëtarësim në BE. Herët apo vonë çdo akter politik në këtë vend do të kuptojnë rëndësinë e kësaj ndërlidhje politike që kapërcen kufijtë e diktimeve të brendshme. Herët apo vonë parullat partiake do të duken të paqena siç duken parullat e kërkim faljeve para dialogut, e prioriteteve të shtata e të teta apo edh e refuzimit të plotë të vetë procesit të dialogut”, tha ai.

I pari i LDK-së, tha se Kosova është dashur të fokusohet në dy gjëra bazike. “Së pari të mos bjerë në asnjë grackë destabiluese për vendin aq më pak destabilizime që ndodhin brenda territorit të vetë dhe së dyti të mos merr fajësim për çfarëdo dështimi në këtë proces. Sepse sikurse destabilizimi edhe dështimi janë synime të Serbisë, për këtë jemi vënë në vëmendje nga aleatet tanë veçanërisht nga SHBA. Fatkeqësisht politikat euforike e qeverisë për fatin e keq ka rënë në këtë grackë. Fillimisht duke folur për luftë tash e 6 muaj rresht duke bërë kështu Kosovën të pasigurt në fotografinë e jashtme politike, ekonomike e integruese e më pas duke përfunduar në tensione të brendshme në veri”, tha ai.

Abdixhiku tha se LDK ka kërkuar koordinim me aleatët, sepse ky koordinim dhe asgjë tjetër siguron stabilitet dhe mos fajësim të vendit në procesin e ardhshëm jetik për interesat tona euroatlantike. “Jemi të lumtur që qeveria ka arritur në këtë përfundim tonin. Mirë që e kanë kuptuar atë që iu kemi thënë në fillim, veçse me një proces të mundimshëm të pandryshueshëm në rezultat e mbi të gjitha me sulme ndaj ndërmjetësuesve, aleatëve e mekanizmave të tjerë. Këto relacione natyrisht që nuk riparohen shpejtë, të njëjtit ndërmjetësues që u quajtën proserb e megjithatë tek këta bëjnë marrëveshje prap do të vazhdojnë të jenë në tavolinën dialoguese edhe sot”, tha ai.

Muja nga VV: Bisedimet Kosovë-Serbi nuk mund të bazohen në atë se çfarë mund të ofrojë Kosova

Në emër të VV-së, deputeti Armend Muja, tha se bisedimet Kosovë-Serbi nuk mund të bazohen në atë se çfarë mund të ofrojë Kosova

“Me 8 dhjetor 2021 një vit më parë thesari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës doli me njoftimin se 16 individë kryesisht nga Kosova u futën në listën e zezë si rrjet i krimit të organizuar transnacional që kanë dëmtuar përpjekjet për rend e ligje  demokraci në Kosovë. Kokat e këtij rrjeti të krimit të organizuar ishin Veselinoviq, Radojqiq dhe Steviq. SHBA na thanë se ata në vazhdimësi kishin korruptuar zyrtar policor në veri, prokuror e politikan si në veri të vendit edhe në Serbi për të ruajtur rrjetin e transportit të narkotikëve, parave të pista, mallrave kontrabandë e armë. Në vitin 2021 shoqëria e Kosovës ka votuar për demokraci, rend e ligj luftim të krimit, drejtësi dhe integrim evropian. ishte më se e pritshme që qeveria e Kosovës e dalë me këtë mandat ishte në rrugë të ballafaqimit me këto struktura kriminale”, tha ai.

Sipas tij zgjedhjet e Serbisë të organizuara nga strukturat paralele janë ndaluar dhe se rryma e uji duhet të paguhen. “Këto koncesione nuk i ofrohen asnjë qytetari në Kosovë e as në Evropë, tabelat e një shteti tjetër nuk mund të përdoren më, kjo e drejtë nuk i ofrohet asnjë shteti, asnjë qytetari në Evropë...duke ndjekur parimin e reciprocitetit janë arritur edhe njohja e ndërsjellë e letërnjoftimeve, diplomave e kualifikimeve akademike e lëvizja e lirë me tabela të Kosovës. Kjo është fundamentale në kuadër të krijimit të tregut të përbashkët rajonal”, tha ai

Muaj tha se bisedimet Kosovë-Serbi nuk mund të bazohen në atë se çfarë mund të ofrojë Kosova. “Edhe gara e ideve se çka duhet të japë Kosova duhet të përfundojë. Premisat e gabuara se Serbia duhet të kompensohet diçka, me ndonjë territor, me ndonjë pari të Ballkanit me të drejtën e sundimit të popujve në rajon nuk ofron asgjë, në fakt i trason shtigjet e zhbërjes së progresit të 20 viteve të fundit”, tha a.

Muja tha se nuk janë të gatshëm të japin territor as asete strategjike për të kënaqur apetitet e despotëve. “Dialogu duhet të përqendrohet në atë çfarë mund të përfitojmë bashkërisht në kuadër të projektit të integrimit evropian, ky mesazh vlen edhe për elitat politike brenda vendit. Rezoluta nuk mbështetë nga LVV sepse faktet cekura aty janë të pasafatshme kurse pretendimet tjera janë të paqëndrueshme dhe të pabazuar”, tha Muja.

Live|Kryeministri Kurti në interpelancë për situatën në vend

Haradinaj: Serbia me aleatët e saj ka krijuar një skenar të destabilizimit të situatës në Kosovë

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj në emër të propozuesit, tha se situata politike dhe e sigurisë në Kosovë është më të rëndat në këto 22 vjet.

“Serbia me aleatët e saj ka krijuar një skenar të destabilizimit të situatës në Kosovë duke i urdhëruar përfaqësuesit serb në institucione shtetërore, publike e të sigurisë që t’i braktisin ato dhe që kanë ndodhur në veriun e vendit”, tha ai.

Sipas tij për fat të keq edhe veprimet e institucioneve të Kosovës nuk kanë qenë në përputhje me situatën e krijuar.

“Kryeministri i vendit në vend se të përfillte kërkesën e SHBA, për të shtyrë zbatimin e marrëveshjes për targat ka zgjedhur skenarin më të keq, zbatimin në faza të kësaj marrëveshje për çka i ka dhënë hapësirë Serbisë edhe ta luaj rolin e viktimës edhe të marr veprime anti Kosovë. Fatkeqësisht as presidentja as kuvendi nuk kanë vepruar në përputhje me seriozitetin e situatës duke vepruar sikur në vend nuk ka ndodhur asgjë e jashtëzakonshme. Të gjithë këta së bashku në vend se të merren me zgjidhjen e situatës së krijuar kanë filluar të kërkojnë fajtor brenda nesh”, tha ai, raporton RTKlive.

Sipas tij situatat e jashtëzakonshme kërkojnë vendime të jashtëzakonshme, ai ka propozuar kuvendit ta votojë rezolutën.

1 Qeveria të marr vendim menjëherë për shtyrje të vendimit për targa deri në marrëveshje finale.

2. Institucionet e Kosovës, Presidenca, Kuvendi, Qeveria, gjitha nivelet të fillojnë dialogun me serbët e Kosovës për t’u kthyer në institucionet e Kosovës dhe për të kthyer besimin e ndërsjellë.

3. Qeveria të nisë me komunikim intensiv me faktorët më relevant në vend duke përfshirë edhe opozitën, jo vetëm si reflektim i gjendjes së krijuar, por edhe si nevojë e gjetjes së rrugëdaljes nga situata e krijuar.

4. Të kërkohet një samit: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, takim disaditor deri në përmbylljen e marrëveshjes finale Kosovë-Serbi.

“Kjo kërkesë për interpelancë ka ardhur para vendimit të fundit të qeverisë për shtyrje dhe në kohën kur situata ishte e tensionuar në veri. Tani mund të konstatojmë se sa i përket pikës së parë ka një zhvillim në drejtim të caktuar edhe pse nuk është ai që do t’i bënte nder Kosovës në këtë rast pranimi që në kohë i kërkesës amerikane për shtyrje, mirëpo mendoj se tri pikat tjera qëndrojnë dhe i bëjnë nder Kuvendit dhe Qeverisë që të arrihet një dakordim”, tha ai.


MË SHUME NGA Lajme