Bislimi: Raporti i KE-së, tregon se Kosova ka pasur stabilitet politik
Foto: Venera Xhoxhaj
Lajme

Bislimi: Raporti i KE-së, tregon se Kosova ka pasur stabilitet politik

Venera Xhoxhaj&Muharrem Miftari/ RTK

(E plotësuar, ora 11:35) Zvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka raportuar sot në Komisionin për Integrim Evropiane.

Bislimi ka prezantuar raportin për vendin për vitin 2022 i përpiluar nga Komisioni Evropian (KE). "Ky raport vlerëson se Kosova ka pasur një stabilitet politik", tha Bislimi, raporton RTKlive.

Bislimi ka përmendur me radhë të gjeturat e këtij raporti, ku përmendi të arriturat e qeverisë në disa fusha, derisa theksoi se janë miratuar shumë ligje.

“Në raportin për vendin 2022, që është raporti i parë që në tërësi përfshin periudhën e qeverisjes Kurti II, ka gjëra që janë shënuar si progres, ka gjëra që besojmë se BE ka qenë paksa dorështrënguar në theksimin e progresit, por ka gjëra që jo domosdoshmërisht të mund të pajtohemi”, deklaroi Bislimi.

Rrezarta Krasniqi kryetare e Komisionit Evropian ka pyetur Bislimin se çka i solli Kosovës ky stabilitet politik. Ajo e përmendi edhe ikjen e mjekëve dhe mosemërimin e ministrit të Shëndetësisë.

Ndërsa Blerta Deliu anëtare e Komisionit theksoi se ky raport thekson disa probleme. Deliu tha se sa i përket dialogut kemi parë një terr informativ. "Qytetarët ende nuk e dinë marrëveshjen për targat. Si do të ktheni serbët në institucione?", ka pyetur Deliu.

Më herët Bislimi gjatë raportimit tha se sa i përket dialogut, raporti konstaton se ky proces vazhdon dhe, siç jeni në dijeni, tashmë kemi hyrë në një fazë të re të këtij procesi.

Ndërsa deputetja Deliu-Kodra, ka reaguar duke thënë se “ju keni shkaktuar një situatë ku sot keni jofunksionim të institucioneve në veri të vendit. Ne kemi dhënë të gjithë kontributin tonë për shtrirjen e sovranitetit në veri, por tash ka ndryshuar gjendja për shkak të pamaturisë suaj”, tha ajo.

Tutje ajo shtroi pyetjen nëse ndjehet fajtor që kjo situatë të ketë ndikuar edhe në liberalizimin e vizave.

Bislimi, shtoi se ‘Raporti për vendin i vitit 2022’ është raporti më i mirë historikisht. “Nëse ky është dështim, mendoj se pritjet e juaja janë më të mëdha se të vet tonat.

Gjithashtu reagoi edhe për çështjen e shëndetësisë, ku sipas tij, nuk ka ulje të buxhetit të shëndetësisë, duke ftuar deputetët që të mos krijohet ndonjë konfuzion.

Ndërsa deputetja Arbreshë Kryeziu-Hyseni ka kërkuar nga Bislimi një konfirmim zyrtar për çështjen për liberalizimin e vizave, sepse kjo është me rëndësi për të gjithë qytetarët.

Më tej, deputetja Kryeziu-Hyseni ka reaguar ndaj deputetes Deoiu-Kodra, ndaj deklarimit të saj “për shqetësimin e saj për mungesën e deputetëve serbë”.

Kurse deputetja Deliu-Kodra në reagimin e saj, shtoi se deputetja Kryeziu-Hyseni, s’ka nevojë të luajë rolin e zëdhënëses së qeverisë, dihet roli i opozitës, duke përmendur kontratën e parë me BE-në, duke shtuar se “kush duhet të turpërohet do ta dëshmojë koha, e lajmi i mirë për vizat më gëzon e ju gjithmonë keni qenë skeptik për këtë”.

Ajo më tej shtoi se “ju nuk jeni aspak të hapur me marrëveshjen në dialog me Serbinë , qytetarët kanë nevojë që të dinë më shumë për situatën, ngase kryeministri ka ndryshuar qëndrim, ndryshe ka raportua në Kuvend, ndryshe në intervistën dhënë një gazete gjermane, sidomos kur përmendi se ka marrë informacion më shumë nga ambasadori Hovenier, për të cilën ne ju kemi thënë që të jeni në harmoni me ndërkombëtarët, sidomos me SHBA-të”.

Ndërkaq, deputetja Time Kadriaj nga ana e saj theksoi se “i gëzohemi nëse ky raport është i mirë, por e dimë që ka edhe shumë shqetësime me të cilat duhet të ballafaqohemi në mënyrë që me u përmirësuar dhe kemi pritë që me këtë shumicë që e keni të keni më shumë punë dhe të arritura”.

Tutje ajo shtoi se si do ta luftoni krimin e korrupsionin derisa keni ulur pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve. "Ne po shohim bojkot të punës në gjykata, duke shuar dialogun social, duke ndërprerë kontratën kolektive, pastaj për mostransparencë etj", tha ajo.

E nga ana tij, zëvendëskryeministri Bislimi sqaroi se nuk ka pas kurrfarë ndërlidhje të procesit të vizave me atë të dialogut. “Ky proces është lidhur me procesin e ETIAS-it. Vendimi për shtyrje ka qenë me qëllim të mirë për Kosovën”, tha ai.

Veç kësaj ai foli edhe për statusin e vendit kandidat, që sipas tij, do të aplikohet këtë vit.

"Ne kemi dërguar një ekip prej 4 ekspertëve në Bruksel që po punojnë atje dhe jemi në koordinim me presidencën Çeke që të përcaktojmë datën. Dhe kjo do të ndodhë ka mesi i muajit dhjetor", tha ai.

E për çështjen e pagave ndaj gjyqtarëve, Bislimi theksoi se ne e kemi zhbërë një vendim të dëmshëm dhe puna e tyre nuk varet nga paga, por volumi i punës.

Bislimi do të raportojë në Komisionin për Integrim Evropian

Komisioni për Integrim Evropian i Kuvendit të Kosovës, ka njoftuar se sot do të mbajë mbledhje.

Në këtë mbledhje do raportojë Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog


MË SHUME NGA Lajme