Kuvendi i thotë po FSK-së për misionin paqeruajtës në ishujt Falklands
Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive
Përmes një seance të jashtëzakonshme të thirrur nga 41 deputet, Kuvendi i Kosovës i ka dhënë dritën jeshile dërgimit të kontingjentit të FSK-së në mision paqeruajtës në Ishujt Falklands. 77 deputet votuan që FSK-ja të shkojë në këtë mision paqeruajtës.
Kryeministri Albin Kurti tha se Ky mision mund të zgjasë deri në 2 vite me mundësi vazhdimi e gjatë kësaj periudhe parashihet rrotacion për dërgim të personelit të FSK-së. “Kështu që përvojën e njëjtë e përfitojnë më tepër se 7 veta”, tha kreu qeveritar.
Ai ka treguar se FSK-ja atje është nën komandën e Forcave të Armatosura të shtetit pritës, ndërkaq kostoja financiare për realizimin e këtij misioni mbulohet nga buxheti i Kosovës.
Seanca e jashtëzakonshme erdhi me t’u përmbyllur punimet e seancës paraprake ku në interpelancë ishte kryeministri, Albin Kurti lidhur me situatën në veri, ku nuk arriti të kalonte rezoluta e propozuar nga AAK-ja.
Kryetari i Komisionit për Siguri dhe Mbrojtje, Bekë Berisha, tha se kjo është në pajtim me dispozitat ligjore për dërgimin e FSK-së jashtë vendit, derisa shtoi se e përkrahin pavarësisht siç tha “shpirtngushtësisë së pushtetit për mos të votuar asgjë që është në të mirë të vendit”.























