Adresohen disa rekomandime për parandalimin e dhunës në baza gjinore
V.Thaçi /RTKlive
Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, në bashkëpunim me UNICEF dhe UN Women mbajtën tryezën e rrumbullakët me temë “Dhuna ndaj vajzave – Drejt parandalimit dhe reagimit efektiv”, që do të organizohet në kuadër të fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”.
Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se qëllimi i tryezës ishte diskutimi mbi situatën aktuale të dhunës ndaj vajzave në Kosovë, identifikimi i mundësive dhe iniciativave të përbashkëta për përmirësimin e situatës. Poashtu, kjo tryezë pati për qëllim të përçoj thirrjen për zhvillim të hulumtimeve, avancim të politikave dhe programeve me fokus në parandalimin dhe reagimin ndaj formave të dhunës.
Paneli i përbërë nga Albulena Haxhiu – Ministre e Drejtësisë, Donjeta Kelmendi – KOMF, Nona Zicherman – UNICEF Kosovë, Dr. Bergita Curri – Specialiste e Mjekësisë Ligjore hapën diskutimin duke ndarë të dhëna mbi dhunën ndaj vajzave në Kosovë dhe duke bërë thirrje për përmirësim të situatës.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka vlerësuar rolin dhe përkushtimin e shoqërisë civile, partnerëve vendor dhe ndërkombëtar në kauzën e përbashkët për trajtimin e rasteve të dhunës.
Në një fjalë rasti në tryezën me temë: “Dhuna ndaj vajzave - Drejt parandalimit dhe reagimit efektiv”, e organizuar nga koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, UNICEF dhe UN Women, Haxhiu tha se përbashkimi në këtë kauzë të drejtë dhe të domosdoshme na bënë më të fortë, të pandalshëm dhe të suksesshëm në betejën kundër dhunës me bazë gjinore.
“Si Ministre e Drejtësisë, që nga pranimi i këtij mandati, jam dhe do të vazhdoj të jem bashkë me të gjithë ata zëra, që angazhohen në përmirësimin e kësaj situate. Jam e vetëdijshme që pozita në institucionin të cilën e drejtoj më jep edhe më shumë mundësi edhe më shumë kompetencë që të orientoj politikat përmes nismave ligjore në këtë drejtim. Jam bashkë me ju edhe në thirrjet tjera ndaj institucioneve si policia, gjykata e prokuroria, të cilat duhet të zgjohen, misioni i vetëm i të cilëve është që të veprojnë. Të veprojnë në bazë të ligjit, dhe kompetencave që kanë”, tha ministrja e Drejtësisë.
Haxhiu tha se me përkushtimin aktiv të shoqërisë civile, dhe sot me institucionet e Republikës, është rritur angazhimi në ngritjen dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve dhe të institucioneve, që të kenë vëmendjen e merituar ndaj dhunës si fenomen, ndaj vajzave dhe grave, ndaj viktimave, dhe të ketë drejtësi për ato.
Në këtë tryezë, Haxhiu tha se për herë të parë, Ministria e Drejtësisë, ka marrë përsipër organizimin e fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, pas një partneriteti të mirëfilltë me organizatat e shoqërisë civile drejt angazhimit institucional në këtë drejtim, për të treguar edhe seriozitetin tonë qytetarë e institucional edhe ndaj institucioneve të tjera që nuk po veprojnë sa duhet e siç duhet, sikurse edhe ndaj personave të papërgjegjshëm dhunues.
Poashtu Haxhiu foli lidhur me hapat që ka ndërmarrë Ministria e Drejtësisë, për trajtimin e viktimave të dhunës, si dhe masat që së shpejti do të hyjnë në fuqi përmes Kodit Penal, ndaj dhunuesve, iniciativa këto që do të kontribuojnë që dhuna në familje dhe ajo me bazë gjinore të minimizohet.
Në panelin e dytë morën pjesë profesionistë që punojnë në mbrojtjen e fëmijës, si Adile Shaqiri Basha – Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Azize Sekiraqa – Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Valbona Çitaku – Shpresa dhe Shtëpitë e Fëmijëve-Kosovë, Kapiten Melihate Sefedini – Policia e Kosovës dhe Valdet Plakolli – Psikolog shkollor. Paneli i profesionistëve diskutuan mbi gjendjen aktuale sa i përket dhunës me baze gjinore dhe ofruan rekomandimet për parandalimin dhe adresimin e kësaj çështje.

Ndër rekomandimet kryesore që u adresuan nga KOMF ishin:
Krijimin e programeve për parandalimin e dhunës dhe fuqizimin e sistemit parandalues dhe referues në shkolla;
Inspektimin e trajtimit të rasteve të dhunës seksuale ndaj fëmijëve, përfshirë trajtimin e kryesve të veprave penale që kanë të bëjnë me dhunë seksuale, gjatë tre viteve të fundit;
Krijimin e databazës së personave të dënuar për vepra penale kundër integritetit seksual të fëmijëve dhe rrjedhimisht ndalimin e qasjes së tyre tek fëmijët, sipas modeleve ekzistuese në hapësirën Evropiane, duke u bazuar në Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës;
Ashpërsimin e dënimeve që shqiptohen ndaj kryerësve të veprave penale kundër integritetit seksual brenda limiteve të përcaktuara me Kodin Penal;
Ofrimin urgjent të trajtimit dhe mbrojtjes adekuate për të gjithë fëmijët, viktima të ngacmimit apo abuzimit seksual;
Përgjegjësi dhe llogaridhënie nga profesionistët e mandatuar për mbrojtje të fëmijës, në rast dështimi gjatë ushtrimit të obligimit ligjor për trajtimin efikas të këtyre rasteve.
Ndryshe fushata globale “16 ditët e aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore”, është hapur me 25 nëntor e organizuar për herë të parë nën drejtimin e Ministrisë së Drejtësisë.























