Kurti: Kosova, më pak se 10 mijë policë e më shumë se 300 mijë familje
BKT
Foto: Qeveria e Kosovës
Lajme

Kurti: Kosova, më pak se 10 mijë policë e më shumë se 300 mijë familje

Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive

Një tjetër reagim ka ardhur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas vrasjes së mbrëmshme të gruas para Klinikës së Gjinekologjisë në Prishtinë.

Sipas kreut qeveritar, dhuna në familje në Kosovë është më e përhapur sesa që e paramendohet e pranohet.

“Dhunë ndaj grave dhe dhunë ndaj fëmijëve gjithandej. Me lëndime të thella shpirtërore e të dukshme fizike”, ka shkruar kryeministri , derisa sipas tij thuajse secili qytetar në Kosovë e din dhe njeh së paku një familje ku kishte apo ka dhunë.

“A e ka lajmëruar atë dhe sa është interesuar për të, është një çështje tjetër pastaj. Shumësia e dhunuesve nëpër familje e ka sjellë familjarizimin me dhunuesit në shoqëri”, ka shkruar Kurti.

Sipas tij, zgjimi shoqëror po ngjanë vonë e po zgjatë shkurt. “Kur vritet gruaja tashmë është bërë vonë. Zgjimi shoqëror edhe po ngjan vonë edhe po zgjat shkurt. Një a dy protesta të nesërmen, dhe: mirupafshim pas vrasjes së ardhshme”, ka shkruar tutje në reagimi e tij kryeministri.

Kreu qeveritar thotë se gratë që vriten në familje, janë ato që kanë rezistuar ndaj dhunës së burrit e që nuk kanë heshtur.

“Gratë që vriten janë gra që nuk kanë heshtur. Shoqëria jonë është përgjithësisht e heshtur për zërin e mbytur të atyre grave nga burrat vrasës. Gratë (dhe fëmijët e saj) po luftojnë brenda shtëpive të tyre private pa mbështetjen e nevojshme publike. Beteja për barazi gjinore nuk është çështje private”, ka shkruar tutje shefi qeveritar.

Kryeministri, ka kërkuar të hiqet dorë nga paragjykimi patriarkal “nderi burrëror - gruaja shërbëtore”.

“Aktet e dhunës vijnë nga sjelljet dhunuese që vijnë nga kjo mendësi e ‘padhunshme’. Qytetarët e Kosovës, e në veçanti shqiptarët të cilët e konsiderojnë veten patriotë, duhet ta ngrenë zërin kundër burrave që ngrenë dorë mbi gruan. Kosova i ka më pak se 10 mijë policë e më shumë se 300 mijë familje”, ka thënë kryeministri.


MË SHUME NGA Lajme