Mehaj: Kosova angazhohet për paqe e stabilitet rajonal dhe global
E.Hoti/RTKLive
Republika e Kosovës si gjithmonë angazhohet maksimalisht për paqen dhe stabilitetin rajonal dhe global. Ky ishte mesazhi kryesor i ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj gjatë fjalimit të tij në Forumin e iniciativës së Bashkëpunimit të Mbrojtjes së Evropës Qendrore dhe Ballkanit Perëndimor (CEDC+WB) të mbajtur në Vjenë para homologêve të vendeve të Evropës Qendrore dhe Ballkanit Perëndimor.
Sipas njoftimit nga Ministria e Mbrojtjes, Mehaj theksoi se forumi përkatës ishte një mundësi e shkëlqyer për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që të ndajnë interesat dhe qëllimet duke qenë së bashku në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë.
Bëhet e ditur se në kuadër të pjesëmarrjes në Forumin për Bashkëpunim të Evropës Qendrore në fushën e mbrojtjes, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka takuar homologen, njëherit nikoqiren e forumit, ministren e Mbrojtjes të Republikës së Austrisë, Klaudia Tanner.
“Me këtë rast, ministrja Tanner shprehu vlerësimet e saj në lidhje me avancimet e Ushtrisë së Republikës së Kosovës, qëndrimin proevropian sa i përket agresionit rus ndaj Ukrainës, si dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar në fushën e mbrojtjes, përmes trajnimeve të përbashkëta ndërmjet forcave të dyja shteteve. Nga ana e tij, Ministri Mehaj falënderoi për ftesën si dhe për pjesëmarrjen e autoriteteve austriake në konferencën 'FSK dhe partnerët', për gatishmërinë e vazhdueshme për bashkëpunim, si dhe i kërkoi përkrahje për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në iniciativat rajonale, në NATO dhe BE”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu në margjinat e këtij forumi, Ministri Mehaj takoi edhe ministrin kroat të mbrojtjes, Mario Banozic.
Me këtë rast, ministri Mehaj ritheksoi se miqësia me shtetin kroat daton qysh herët.
"Si dy shtete që kemi një të kaluar të ngjashme, kuptojmë shumë mirë seriozitetin e situatës aktuale gjeopolitike dhe rëndësisë së bashkëpunimit të shteteve të Evropës në fushën e mbrojtjes, me theks të veçantë në Ballkanin Perëndimor, aty ku vërehen haptazi tendencat e ndikimit rus", tha ai.
Të dy ministrat diskutuan edhe për bashkëpunimin ndërmjet ministrive të mbrojtjes dhe forcave të të dyja shteteve, që do të avancoj edhe me nënshkrimin sa më parë të marrëveshjes SOFA, që do thelloj dhe konkretizoj edhe mê shumë bashkëpunimin ushtarak në shumë drejtime në shërbim të paqes në rajon, por edhe më gjerë.
“Mehaj rikujtoi se e kaluara është mësim që nuk përsëritet më, andaj qëllimet tona janë të qarta, e ardhmja jonë është pranë familjes së madhe të Bashkimit Evropian dhe aleancës së NATO-s. Ai ritheksoi se në rrugëtimin tonë kemi aleat Kroacinë, ashtu si edhe shumë shtete të tjera partnere që vlerësojnë pozicionimin proevropian të Republikës së Kosovës dhe të shtetasve tanë”, thuhet në njoftim.
























